Bajerni mori fitoren e tretë radhazi në kampionat, por iu deshën rreth 70 minuta për të tundur rrjetën e Nyrenbergut, në derbin e Bavarisë. Pep Guardiola ndryshoi sërish formacion, duke mbajtur në stol Toni Kros dhe Tomas Myler, për të aktivizuar Mario Gëce dhe Tiago Alkantara që nga fillimi. Bavarezët e dominuan që nga starti lojën, por në minutën e 15-të Nyrenbergu goditi shtyllën. Megjithatë, ishte vetëm një aksion jashtë rrjedhës së lojës, teksa vendasit krijuan mjaft raste. Më i miri prej tyre ishte penalltia e fituar nga Roben dhe e humbur nga Alaba. Pas një ore lojë, Guardiola futi Kros dhe Myler në vend të Tiagos e Gëces dhe Bajerni gjeti golin e parë, kur Riberi shënoi me kokë, pas një krosimi nga Lam. Pak minuta më pas, Roben dyfishoi shifrat me një aksion personal, të mbyllur me goditje me këmbën e djathtë. Ndërkaq, Shalke pësoi një tjetër humbje tronditëse, 1-2 në Hanover, ku miqtë mbetën me nëntë lojtarë. Bajer Leverkusen fiton përsëri, 4-2 me Mënshengladbah, ndërsa Volfsburg humbet 0-2 në Mainc. Bajerni dhe Borusia Dortmund kryesojnë me pikë të plota, nga nëntë.
