Fantazisti shënon golin e katërt dhe i jep një tjetër sukses Çernomoretsit
Çernomorets i Odesës fluturon lart në renditje, falë golave të shënuar nga Elis Bakaj. Dje futbollisti kuqezi shënoi golin e katër në këtë kampionat, në fitoren 1-0 në Kiev, kundër Arsenalit. Bakaj shënoi në minutën e 45-të dhe skuadra e tij arriti ta mbronte me fanatizëm fitoren. Golat e Bakajt kanë gjithmonë vlerë pikësh për Çernomorets, pasi shqiptari ka shënuar në tri fitore 1-0 dhe në një barazim 1-1. Skuadra e Odesës ishte e rrezikuar për të rënë nga kategoria, por tani është ngjitur në vendin e pestë dhe aktualisht gjendet në zonën e Europa League. Bakaj luajti për 90 minuta, ndërkohë që Kristi Vangjeli qëndroi në stol gjatë gjithë kësaj kohe.