Bakaj lë Tiranën: S’është lamtumirë, por mirupafshim

redaktor

Elis Bakaj zyrtarizoi “divorcin” me Tiranën, në një konferencë për shtyp të improvizuar në tapetin e gjelbër të “Selman Stërmasit”, aty ku më 16 gusht të vitit të kaluar debutoi me bardheblutë në një miqësore me Dinamon. 27-vjeçari e quan fat dhe një arritje në karrierë faktin që ka veshur fanellën e 24 herë kampionëve të Shqipërisë, pavarësisht se e mbylli sezonin pa trofe. Nëse ka një peng në “aventurën” bardheblu, kjo lidhet me mungesën e trofeve.

“Mendoj se kam zhvilluar një sezon të mirë dhe kam dhënë maksimumin, por në futboll jo gjithmonë fiton më i miri. Nëse kam një peng është fakti që nuk munda të fitoj trofe me Tiranën”, – tha sulmuesi.

Bakaj e ka të vështirë të thotë lamtumirë, sepse beson se në të ardhmen do ta veshë sërish fanellën bardheblu për të fituar trofe.

“Kjo nuk është një lamtumirë, por një mirupafshim, sepse një ditë shpresoj se do të rikthehem te Tirana dhe do të fitoj trofe”, – shtoi talenti kryeqytetas.

Transferimin në Izrael te Hapoel Ranana, Bakaj e sheh si trampolinë për të kaluar në një ekip më të fortë, por edhe për t’u afruar më shumë në Kombëtaren kuqezi.

“Skuadra me të cilën kam firmosur është një ekip mesatar, që ndjek një politikë të tillë, duke i shitur lojtarët më të mirë. Unë e shoh si trampolinë për t’u transferuar te një skuadër më e madhe dhe sigurisht edhe për t’u afruar më shumë me Kombëtaren. E kam veshur fanellën kuqezi që kur isha 20 vjeç dhe nuk kam bërë as kam për të bërë polemika përse nuk grumbullohem. I uroj më të mirën Kombëtares”, – tha ndër të tjerash Elis Bakaj.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *