Balaj rrëfen aventurën me Splitin: Shkon për mrekulli

redaktor

Vetëm prej pak ditësh është pjesë e skuadrës së HNK Rijeka dhe përshtatja për një lojtar të ri nuk është e thjeshtë. Bekim Balaj megjithatë nuk është një ndër ata që dorëzohen përballë sfidave, aq më tepër që ajo me HNK Rijekën mund të jetë një vitrinë e mirë për të ardhmen e tij. 24-vjeçari ditët e fundit po stërvitet intensivisht dhe gjatë një interviste pranon se ndihet mirë për zgjedhjen e bërë dhe se po arrin të përshtatet shumë shpejt me pjesën tjetër të ekipit:

“Ndihem vërtetë mirë në skuadrën e re. Të gjithë po më qëndrojnë pranë dhe po më ndihmojnë që të përshtatem sa më lehtë. Të ndryshosh ambient nuk është asnjëherë e lehtë por këtë nuk po e ndjej aspak te Rijeka, ku ka një ambient shumë pozitiv. Kushtet e motit gjithashtu janë të shkëlqyera dhe mund të them se deri tani çdo gjë ka qenë e përsosur”, tha Balaj.

Sezonin e kaluar skuadra u rendit e dyta në kampion dhe gjithashtu bëri mirë në kompeticionet europiane por sulmuesi kuqezi beson se Rijeka ka ende për të treguar: “E kam ndjekur skuadrën në Europë dhe gjithashtu dhe në kampionat dhe më ka impresionuar me paraqitjet e saj. Dëshira për të fituar është e madhe dhe ekziston motivimi i duhur brenda grupit që të përmirësohemi akoma më shumë. Unë besoj se në pjesën e dytë të sezonit do t’i bëjmë gjërat akoma më mirë, pasi ka shumë uri për fitore”, theksoi ai.

Presioni ndaj tij nuk do të jetë i pakët, pasi tifozët e shohin si sulmuesin kryesor të skuadrës dhe ajo që presin prej tij janë golat: “Unë do të jap maksimumin për të ndihmuar ekipin dhe për të kënaqur tifozët, por të mos harrojmë që futbolli është një lojë skuadre dhe për mua më të rëndësishme janë pikët që do të marrë Rijeka sesa golat e mi. Megjithatë unë do të përpiqem të bëj maksimumin që ta ndihmoj ekipin me gola, që në fakt është dhe arsyeja pse gjendem këtu”, shtoi Balaj.

Ndeshja e parë e Balajt me HNK Rijekën mund të jetë më 7 shkurt, në rifillimin e kampionatit kroat, teksa skuadra e tij do të luajë në shtëpi ndaj Hajdukut të Splitit.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *