Duke zgjeruar strofkën e saj baldosa nxori në sipërfaqen e tokës disa objekte arkeologjike të shekullit XII.
Sigurisht që baldosa nuk kishte ndër mend të kërkonte objekte arkeologjike, por vetëm të zgjeronte strofkën e saj. Por meqë ato i dolën përpara dhe po e pengonin i nxori thjesht në sipërfaqen e tokës. E gjitha kjo ndodhi në Uckermark, në tokën e një çifti skulptorësh.
Hendrikje Ring kujton se e dinte prej kohësh që në tokën e tij kishte një strofkë baldose dhe se një ditë, kur po shëtisnin me të shoqen, panë papritur disa kocka, një shpatë, një kupë bronzi dhe një tokëz rripi me zbukurime. Baldosa kishte qenë shumë e zellshme në punës e saj, shton Lars Wilhelm dhe vendi dukej sikur të ishte zbuluar ndonjë varrezë.
Gjurmë mesjetare
Pas “zbulimit” të baldosës erdhën arkeologët dhe vazhduan gërmimet. Ata gjetën tetë varre – dy prej tyre ishin varre princërore të shekullit XII. Në njërin qe varrosur një luftëtar 40-vjeçar, i cili duhet t’i takonte klasës së lartë – kupa prej bronzi që u gjet aty është një shenjë e mirëqënies, shpjegon Felix Biermann drejtor i gërmimeve pranë Universitetit të Gëttingenit. Në Mesjetë, një kupë e tillë shërbente për të lagur duart para ngrënies.
Gërmimet ndërkohë kanë përfunduar. Gjetjet arkeologjike janë duke u restauruar dhe klasifikuar dhe së shpejti do të ekspozohen në muze. Nga gërmimet arkeologjike në tokën e tyre sot nuk duhet më thuajse asgjë, thotë Hendrijke Ring.
Por edhe baldosa është larguar. Hendrijke Ring mendon për shkak të zhurmës së lopatave të arkeologëve.
Largim i qëllimshëm nga strofulla shumëvjeçare
“Është gjë e rrallë që një baldosë të ndryshojë vendbanim,” thotë Andreas Kinser nga Fondacioni gjerman për Kafshët e Egra për Deutsche Wellen. Zakonisht baldosat gërmojnë për dekada të tëra për të ndërtuar strofkat e tyre të nëndheshme. Një gjë e tillë vazhdon madje disa breza me radhë, thotë eksperti. “Strofullat e baldosave u ngjajnë kështjellave dhe shkojnë deri në 2.5 metra nën tokë, ato kanë shumë korridore dhe kanale.”
Madje baldosat ndërtojnë edhe oxhakë për të pasur në strofkë ajër sa më të pastër, tunele anësore për të rregulluar temperaturën dhe madje edhe tualete, që strofka të jetë sa më higjenike.
Pra baldosa do ta ketë vrarë vërtet shumë mendjen për ta filluar një punë të tëlli përsëri nga e para, mendon eksperti i baldosave Andreas Kinser. Por baldosat janë shumë individualiste, të paafrueshme dhe kanë frikë nga njerëzit./DW