Ndërhyrja në kohë e Policisë, parandalon vetëvrasjen e një shtetaseje të mitur, e cila në rrjetin social “Facebook” ndiqte udhëzime dhe ishte bërë pjesë e lojës “Balena Blu”.
Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, mblodhi informacione në rrugë operative, se një shtetase 15-vjeçare, banuese në Qarkun e Korçës, duke qenë përdoruese e rrjetit social “Facebook”, mund të kishte marrë disa udhëzime nga një adresë ende e paidentifikuar me përdorues “Balena Blu”.
Duke luajtur dhe duke arritur në nivelin e tridhjetë të kësaj loje, dyshohej se e mitura mund të kalonte deri në vetëvrasje.
Si rezultat i bashkëpunimit dhe mirëkoordinimit të veprimeve, midis strukturës të lartpërmendur dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi i kësaj shtetaseje, si edhe ndërprerja e veprimeve të mëtejshme që mund ta kishin çuar këtë të fundit, deri në vetëvrasje.
Sqarojmë se shtetasja e mitur ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore nën kujdesin dhe kontrollin e prindërve të saj, duke u asistuar edhe nga një psikologe.
Nga ana e Policisë, po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Të dhëna të tjera, nuk mund të jepen pasi rasti i mësipërm është nën hetim.
