Socialistet kanë vijuar akuzat ndaj familjarëve të Kryeministrit Sali Berisha. Deputeti socialist Taulant Balla deklaroi se me sistemin e taksave Kryeministri i shpëtoi vajzës së tij 17 milionë lekë të cilat ajo duhet t’i paguante si taksa. “E bija e Kryeministrit, Argita Berisha merr 12 milionë lekë në muaj si mësuese dhe paguan me taksën e sheshtë të Saliut 1.2 milionë lekë. Me taksën progresive të vitit 2007 do të duhej të paguante 2.2 milionë, pra të paguante dhe 1 milionë më shumë se sa paguan sot. E kuptoni çfarë ka bërë i ati Kryeministër? Ka bërë një ligj se si e bija të paguajë më pak. Dhëndëri, Jamarbër Malltezi merr 5.8 milionë lekë në muaj dhe paguan me taksën e sheshtë 580 mijë në muaj. Me taksën progresive të vitit 2007 do të duhej të paguante 989 mijë lekë, pra të dy së bashku paguajnë 17 milionë lekë më pak në vit taksa. Këtë ka bërë i ati Kryeministër, ka bërë një ligj se si e bija dhe dhëndri të paguajnë 17 milionë lekë më pak taksa në një vit të vetëm në buxhetin e shtetit. Nuk mund të miratojmë ne deputetët e Kuvendit të Shqipërisë një projektligj, që e ndan Shqipërinë në dy copa, në atë të 5 për qindëshit të oborrit dhe 95 për qindëshit të popullsisë”, tha Balla.
Leave a comment