Deputeti socialist, Taulant Balla, në vijim të kërkesës për transparencë për të patur një sqarim publik mbi burimin e fitimeve marramendëse të vajzës së Kryeministrit ka bërë publik këtë fakt.
Për Ballën sipas deklarimit të vetë vajzës së Kryeministrit ajo rezulton se është përveç se profesoresha më e mirëpaguar në botë edhe avokatja më e shtrenjtë në botë. Deputeti socialist ka bërë këtë krahasim: “280 mijë lekë, aq sa paguhet një jurist i administratës në Shqipëri në muaj, Argita Berisha paguhet në një orë.”
Po deputeti Balla ka shtuar edhe më, duke zbuluar edhe përqindjen e suksesit që faturon vajza e kryeministrit:
“Sipas komunikimit të ortakes së Argita Berishës me biznesmenin në fjalë, në rast të zbatimit të projektit për ndërtimin e termocentralit, kërkohet që suksesi të shpërblejë avokaten me 3% të vlerës së investimit, pra disa milionë Euro. Por pyetja jonë është: nga cili person varet licensimi i ndërtimit të termocentralit? Përgjigja është e thjeshtë. Nga Kryeministri i vendit Sali Berisha, njëkohësisht babai i avokates Argita Berisha!”
Lidhur me baltën ndaj opozitës me të cilën përgjigjen bijtë e Kryeministrit, deputeti socialist u shpreh se PS ka një tjetër standard që e dallon nga pala tjetër. Po ashtu këshilla në këtë rast për Argita Berishën ka qenë: “Bëni pak kujdes me atë zbulimin tuaj të atyre 100 milionëve, se do dilni aq bllof sa do qeshë tërë bota me ju”.