Partia Socialiste vijon denoncimin e pasurive të familjes Berisha, përmes deputetit të saj, Taulant Balla. Në daljen e radhës para mediave, Balla tha se fëmijët e Berishës po kërcënojnë opozitën me gjyqe, por nuk tregojnë burimin e pasurive të tyre që rriten çdo ditë.
Sipas Ballës, vajza e kryeministrit, Argita Berisha Malltezi, fiton si mësuese shumë herë më shumë se çdo mësues në Shqipëri.
“E vërteta shokuese që del nga deklarata e Argita Berishës (Malltezi) është se e bija e kryeministrit të vendit fiton shumë herë më shumë se çdo mësues. Në Shqipërinë e varfër vetëm sipas llogaritjeve normale të universiteteve private del se Argita Berisha duhet të japë 22 orë në ditë që të justifikojë totalin e 146 milionë lekëve në vit. Kjo nuk është as akuzë as shpifje, por vetëm një llogari e thjeshtë. Për pasojë, fëmijët e Berishës kërcënojnë opozitën me gjyqe dhe nuk thonë burimin e pasurisë. Ne kemi ngritur disa pyetje që janë krejtësisht normale në demokraci. Kush janë universitetet që paguajnë këto paga marramendëse për vajzën e kryeministrit ,sa është tarifa për orë mësimi që paguhet vajza e kryeministrit të vendit. Pse nuk bëjnë transparencë, kush janë njerëzit që paguajnë për pasurimin e vajzës, djalit dhe bashkëshortit të vajzës së kryeministrit në kurriz të shqiptarëve. Nëse fëmijët e kryeministrit nuk kanë përgjigje babi i tyre duhet të dorëhiqet. Por nëse fëmijët e kryeministrit Berisha vijojnë të fshihen pas babait apo ushtarëve të babit në gjykatë, kjo është një rënie flagrante para interesave të bllokut blu”, tha Balla.
