Balla: Imami do hetohet për tenderat e Ushtrisë

anazapta

Deputeti socialist, Taulant Balla, shprehet se ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, do të hetohet për abuzimet me Ushtrinë. Në një koment të postuar dje në Facebook, Balla thotë se Arben Imami po shet të tjerë avionë dhe helikopterë për skrap dhe njofton se tenderi bëhet më 26 gusht në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Ministria e Mbrojtjes synon që të shesë për skrap që përfitohet nga avionët, helikopterët dhe motorët e avionëve, të cilët nuk do përdoren më nga Forcat e Armatosura. Vlera fillestare e sasisë është 15.959.224 lekë pa TVSH, sipas përllogaritjes së vlerës fillestare nga Komisioni i Posaçëm për këtë qëllim. Nga konsultimi me ekspertë, vlera fillestare e shitjes është shumë herë më e ulët sesa vlera reale e tregut. Arben Imami dhe drejtues të tjerë të Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes do të hetohen gjerësisht për këto abuzime shkatërruese për Ushtrinë dhe ekonominë e trashëguar të Ministrisë së Mbrojtjes”, – tha Balla.

“Gjithashtu, dihet se fitues i këtij tenderi të radhës do të jetë e njëjta kompani e lidhur ngushtë me Arben Imamin, tek e cila Ministria e Mbrojtjes vjel përqindjen çdo muaj. Tenderi do të mbahet më 26 gusht, në orën 10:00, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, ku do të dorëzohen edhe ofertat. Shitja për skrap e avionëve, helikopterëve dhe e mjeteve të tjera të Ushtrisë është vijim i politikës së ndjekur nga drejtuesit aktualë të Ministrisë së Mbrojtjes për të shitur pasuritë”,shkruan ai.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *