Opozita prej disa ditësh ka kërkuar përmes deputetit Taulant Balla transparencën e pasurive të fëmijëve të kryeministrit. Por në mungesë të një përgjigjeje për mënyrën e bërjes së pasurive nga ana e Argita dhe Shkëlzen Berishës, sot Balla ka sjellë një rast konkret, që sipas tij provon sesi vajza e kryeministrit përfiton nga pushteti i të atit. Balla tha se Argita Berisha ka kërkuar para nga një biznesmen pakistanez që donte të investonte në fushën e energjisë në Shqipëri.
“Rasti që do t’ju tregojmë është ai i një investitori të huaj, i cili është edhe konsull nderi i Shqipërisë në vendin e tij të origjinës. Ky mik i Shqipërisë erdhi në vendin tonë për të propozuar një projekt me rëndësi strategjike në fushën e energjisë. Takoi dhe Saliun dhe me marifet u gjet rruga e zakonshme që i çon investitorët nga zyra kryeministrore e babait – në zyrën e konsulencës së vajzës. Dhe këtu fillon odiseja rrëqethëse e zotërisë që erdhi në Shqipëri me një projekt zhvillimi dhe u tërhoq nga Shqipëria pas një korrespondence me Argita Berishën, kërkesat e së cilës ishin të papërballueshme”, tha Balla.
Më tej, ai iu drejtua vajzës së Berishës, të cilës nëpërmjet deklaratës i kërkon përgjigje për konsulencën e dhënë investitorit Zafar Ansar.
“A keni gjë për të thënë për konsulencën që i keni dhënë investitorit Zafar Ansar dhe për tërheqjen e tij nga investimi pas komunikimit me ju? Ne i presim këto përgjigje dhe balta që ju hidhni përditë ndaj opozitës me shpifje, me të cilat vetëm mund të qeshësh, nuk ndihmon në sqarimin e publikut padyshim, po as nuk na jep ne mundësinë të kalojmë në temën tjetër të transparencës sonë. Sigurisht, ne nuk kemi pse të dyshojmë që praktika e ndjekur prej Argitës dhe babait të saj kryeministër, në rastin e zotit Zafar Ansar, nuk është një praktikë standarde në punën fitimprurëse të familjes Berisha. Nga kjo praktikë duket qartë se familja e kryeministrit është e mirëkoordinuar dhe fakti që tani të dy fëmijët e rritur të Saliut janë kthyer edhe në baltëhedhës ndaj opozitës e konfirmon këtë më së miri“, tha Balla.