Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi sot që Policia e Shtetit të marrë masa për parandalimin e degradimit të mëtejshëm të rendit publik.
“Nga Hysni Burgaj i pari dhe të tjerët me radhë duhet ta dinë se çdo formë “dezertimi” në përballjen me krimin është vepër penale. Moskryerja e detyrës nga Policia po i lejon terren elementëve kriminalë. Policia e Shtetit të vendosë kontrolle në të gjitha akset rrugore problematike duke vënë në dispozicion edhe njësitë e saj speciale, ndërsa departamenti i Policisë Kriminale të hetojë dhe ndalojë personat e maskuar që zbrazën armë edhe mbi fëmijë. Forca e shtetit dhe e ligjit duhet të bjerë fort mbi këta elementë kriminalë që po përfitojnë nga kjo periudhë tranzicioni pushteti”, shkruan Balla në faqen e tij në Facebook.
Balla sjell në vëmendje edhe grabitjen e një dite më parë, ku një familje nga Ulqini i Malit të Zi, denoncoi një rast të rëndë grabitjeje në Rrugën e Kombit.
