Balla: PD-ja po mban anën e gjyqtarëve të korruptuar

Elton Tafaruci

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha sot se opozita po mbështet gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, duke bllokuar reformën në drejtësi. Gjatë fjalës në seancën e sotme parlamentare, Balla tha se PD-ja nuk bie dakord për vetingun, pasi dëshiron të mbrojë gjyqtarët e emëruar prej saj.

“Ndër çështjet që do të verifikohen janë lidhjet e gjyqtarëve me politikanët, se i keni emëruar ju, se u keni marrë para për t’i emëruar. Kur erdhëm në pushtet, ne nuk lejuam që asnjë anëtar i PS-së të emërohej në diplomaci.

Çfarë meraku keni që nuk pranoni verifikimin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve. 94 për qind e shqiptarëve e mbështet reformën në drejtësi, për një sistem pa gjyqtarë të korruptuar”, tha ai.

Balla tha se justifikimet që nxjerr opozita lidhur me konfuzionin që mund të shkaktojnë emërtesat e reja pas miratimit të reformës nuk qëndrojnë.

“Kam dëgjuar Oerd Bylykbashin për problematikën që ngrenë emërtesat e shkurtuara të institucioneve që kjo reformë ngre. Si koleg opozitar e pranoj, më vjen keq që këtë argument e merr Ben Blushi. Ka kaq vite që ka një ILDKPI. Ky paska qenë problemi që për shkak të këtij emri, ky institucion sipas jush nuk bën? Përkundrazi, ky institucion ka bërë një punë të shkëlqyer, sepse në krye të tij është një profesionist dhe jo një i emëruar nga politika”, tha ai.

Balla u shpreh se në lidhje me vetingun, ekspertiza e ndërkombëtarëve është e domosdoshme. Për deputetin socialist, kërkesa e PD-së për vende të rezervuara është si të kalosh nga shiu në breshër.

“Mos u mërzit Oerd, eprori yt dhe kryetari i vërtetë i partisë tënde e tha qartë: ju jeni kundër vetingut. Pa ndihmën e ndërkombëtarëve, ne nuk mund ta bëjmë. Nuk mundemi nëse nuk kemi ekspertizën e SHBA-ve dhe të BE-së. Ju mbani sot anën e gjyqtarëve të korruptuar. Ne themi të heqim kontrollin politik, ju kërkoni pjesën tuaj. Të thuash që dua ende vende të rezervuara në sistemin e drejtësisë është si të kalosh nga shiu në breshër. Pastaj më e papranueshmja është ankesa për blerje votash. Ju atë e keni pasur institucionin më të rëndësishëm të ruajtjes së pushtetit”, përfundoi Balla.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *