Michael Ballack voton për Pep Guardiolan. Ish mesfushori i skuadrës bavareze deklaron se trajneri katalanas është njeriu i duhur për të drejtuar skuadrën edhe pas eliminimit në gjysmëfinalen e Champions League nga Barcelona. Kontrata e Guardiolas me Bayernin skadon në fund të sezonit të ardhshëm dhe në këtë mënyrë e ardhmja e tij mbetet e paqartë, por Ballack këmbëngul se ai është njeriu i duhur për të vazhduar projektin e nisur.
“Aftësitë e Guardiolas në fushën e futbollit janë të padiskutueshme. Ai është një trajner i kalibrit botëror dhe në opinionin tim, njeriu i duhur për të drejtuar Bayernin”.
Për Ballack që kaloi 4 sezone në radhët e Bayernit, kritikat ndaj ekipit kanë qenë të padrejta.
“Bayerni ka luajtur një futboll spektakolar. Në kohën time, skuadra shkëlqente vetëm në kampionat por në Europë ndodhte rrallë. Pasi mbyllën kampionatin, lojtarët humbën disi ritmin por ata kanë qenë përherë një ekip i rrezikshëm. Për momentin shumë njerëz po ankohen për ecurinë e skuadrës por nuk duhet të harrojmë se ata u eliminuan në gjysmëfinalen e UEFA Champions League nga një skuadër e shkëlqyer, ndoshta nga skuadra që ka më shumë mundësi për ta fituar këtë trofe. Ruajtja e këtij grupi edhe për vitet e ardhshme do të ndihmojë në rritjen e skuadrës së Bayernit”.
