BALLKAN PAZAR

redaktor

E ndjen që ka diçka që nuk shkon, menjëherë sapo sheh flamurin maqedonas në kufirin e Qafë-Thanës. Nuk besoj se ka dikush që ka kaluar asaj ane, e nuk e ka parë atë flamur gjigand, shprehje e një megalomanie absurde, së paku një shekull me vonesë. Ndërtimet tipike të kohës së Jugosllavisë duket sikur vazhdojnë të jetojnë në atë kohë. Nuk ka kurrfarë shenje të ndonjë modernizmi përgjatë gjithë rrugës që përshkruhet nga kufiri për në kryeqytet, pra për në Shkup.

E po ashtu, të njëjtë mbeten grafitet e VMRO-DPMNE përgjatë rrugës; të njëjta mbeten edhe problemet etnike në këtë hapësirë shtetërore e politike. Në ditën e udhëtimit tim në Shkup ishte paralajmëruar edhe protesta më e madhe nga ana e Shqiptarëve për rastin “Monstra”. Tensioni ishte i pranishëm në fytyrat e të gjithë qytetarëve, qofshin ata shqiptarë apo maqedonas. Protestat e mëparshme ishin shoqëruar me dhunë në rrugët e Shkupit dhe qyteteve më të rëndësishme maqedonase, e për pasojë asgjë e mirë nuk pritej as kësaj here. Tensioni shtohej prej faktit që vetëm disa qindra metra nga protestat e shqiptarëve ishte lajmëruar edhe një protestë e maqedonasve.

Nuk nevojitet ndonjë pajisje tejet profesionale me informacion për të kuptuar rrënjët e thella të këtij konflikti. Mjafton të jesh i vëmendshëm për të vëzhguar investimet modeste në periferi, atje ku shtrihen lagjet shqiptare, apo statujat absurde super të kushtueshme të qendrës konvencionale të Shkupit, nën dhe rreth të cilave i vetmi triumf i arritur është ai, varfëria. Kjo e fundit, kuptuar si fenomen social, nuk ka nevojë për ndonjë prezantim të posaçëm përveç faktit se çdo ditë, progresivisht, shton rrënjët e saj pa bërë asnjë dallim mes etnive shoqërore qe formëzojnë këtë shtet.

Politika vazhdon të mbetet një oaz qetësie për Gruevskin dhe aleatët e tij shqiptarë të BDI, të cilët edhe në zgjedhjet e fundit vetëm sa e thelluan rezultatin e tyre në kurriz të kundërshtarëve socialistë të LSDM e gjysmë-aleatëve shqiptarë të PDSH. Çuditërisht, të njëjtën qeveri e ndajnë të dy partitë që natyralisht duhet të ishin në opozitë me njëra-tjetrën meqënëse janë themeluar mbi baza të forta nacionaliste, por me sa duket politika në Ballkan nuk ndjen nevojën e një kohezioni mes asaj që thuhet e asaj që bëhet. Kjo me gjasa ka sjellë si nevojë e pasojë edhe kontrollin e frenave të lojës prej reagimit të popullit, i cili, më shumë se për të avancuar një axhendë progresiste, ka ndier nevojën simptomatike t’u mbrojtur nga një trysni shtetërore që prej kohësh tashmë i ka alienuar gjykatat. Këto të fundit nuk janë vetëm në qendër të vëmendjes për procese selektive në dëm të komunitetit shqiptar, por dhe të kujtdo opozitari të qeverisë. Maqedonia sot mbetet i vetmi vend në rajon por edhe në Europë që ka të “burgosur politikë”, qofshin këta gazetarë apo opozitarë politikë.

Nuk munguan as këto ditë akuzat e Gruevskit ndaj medias ALSAT dhe blogjeve që nxisin urrejtjen, sikundër i përmendi ai në deklaratë. Duhet mbajtur shënim që historia ka treguar se kur është fjala për Gruevskin, këto nuk mbeten vetëm në kuadër të deklaratave, pasi gjykatat shpeshherë kanë qënë në të njëjtën linjë, qoftë ajo racionale a jo. Kjo është në fakt edhe arsyeja kryesore pse shqiptarët kanë mbushur këto ditë rrugët.

E nesërmja dukej një ditë e qetë; ndoshta më e qetë seç duhej. Rrugët ishin të zbrazura, e një taksist që morëm nuk priti shumë derisa zbrazi një informacion të kobshëm mbi një helikopter që ishte rrëzuar e që sipas tij ishte nisur për të sulmuar shqiptarët (helikopteri më vonë rezultoi që ishte nisur për të kënaqur dëshirat e një biznesmeni lokal të lidhur ngushtë me pushtetin).

Nëse në distancë këto duken legjenda, për një shtet që deri para dhjetë vitesh ka qënë në luftë e në këto vite numëron disa raste vrasjesh politike, këto histori bëjnë sens përtej fantashkencës.

Para-protesta i ngjante një skene filmi: në oborret e xhamive mblidheshin protestuesit që si pikë takimi, paradoksalisht, kishin sheshin Skënderbej. “Tension” dhe “frikë” janë të vetmet fjalë që mund të përshkruajnë atmosferën. Paaftësia e palëve për të pasur një përfaqësi të qartë politike e bënte këtë protest më të rrezikshme se të tjerat. Brishtësia e një konflikti etnik që kishte ushqyer veten me raste sporadike port ë vazhdueshme dhune i kishte të gjitha parametrat të priste vetëm një shpërthim.

E megjithatë shqiptarët jo vetëm “zhgënjyen” pritshmërinë e scoop-it të rradhës mediatik për një protestë fetare (pasi në të nuk kishte asnjë parrullë a thirrje të tillë), por edhe ruajtën një gjakftohtësi emancipuese përgjatë gjithë tubimit. Nuk kishte vend më të mirë ta lexuar këtë sesa në fytyrat e policëve maqedonas, të cilët jashtë çdo propaganda proto-fashiste panë me sytë e tyre se si u mbrojtën në fakt nga vetë organizatorët e protestës. E zbuluan në vetën e parë që primitive kishte qënë propaganda e qeverisë të cilën kishin dalë të mbronin, e jo ata që po protestonin.

Ndoshta ky është një themel emancipues për të ndërtuar për herë të parë në shtetin fqinj një qasje progresiste; për të kuptuar që protesta kundër gjykatave që sot po bëhet nga shqiptarët është në fakt diçka që i prek edhe maqedonasit, sepse as ata nuk janë të mbrojtur nga një qeveri e mbikorruptuar që e ka damkosur gjykatën nën tisin e vet difektoz ideologjik.

Ishte një ditë plot shpresë ajo e pas-protestës në Shkup. Një ngjarje që edhe pse nuk e cënoi aparatin qeveritar në tërësi, i krijoji atij çarjen e parë. Këta, nuk arritën të shtynin popullin në një konflikt ndër-etnik. Kjo rreze shprese duhet mbajtur gjallë nga aktivistë e organizatorë në terren, pasi dukshëm përbën lajmin më të mirë të dalë prej vitesh nga Maqedonia.

Nuk ka, në fakt, mënyrë më të mirë për të dalë nga një kontekst e të zhytesh në një tjetër, se udhëtimi me autobusin e orës 5:00 të mëngjesit nga Shkupi në Beograd. Autobusi është po aq i vjetër sa edhe investimi i fundit që është bërë në shtetin serb. E përshkon rrugën me mbi dhjetë ndalesa në qytete të ndryshëm. Nevojiten tetë orë për 400 kilometra. Me të kaluar qytetet shqiptare, autostrada fillon të jetë më cilësore, si për të mbuluar brendësinë e trishtë të qyteteve serbe, ku gjithçka është dominuar nga grija. Kur më në fund mërrijmë në Beograd, duket qartë që disa standard urbanistike nuk mungojnë. Shembull është stacioni i hijshëm i autobusave. Megjithatë, për fat të keq, as ky nuk mund të fshehë shenjën e recesionit ekonomik, sidomos kur taksisti është i gatshëm të bëjë cirk për një mashtrim që nuk vlen më shumë se 2 Euro.

Nëse Beogradit do t’i heqësh ndërtimet e vjetra perandorake, asgjë nuk mbetet pas. Depresioni i të jetuarit “jashtë kohës” vërehet në pamjen e cilitdo kalimtari në rrugë. Posterat e mëdhenj që propagandojnë Beogradin e Ri, plot me ngjyra e të ekspozuara prej Bashkisë në kulmet e ndërtesave, vetëm sa e bëjnë më të trishtë jetesën në tokë. Ajo çka e vështirësonte akoma më shumë jetesën ishte edhe numri i jashtëzakonshëm i mushkonjave që kishin pushtuar qytetin pas përmbytjeve. Kjo, për ironi a shpëtim, e bën të pamundur qëndrimin e gjatë jashtë.

Në Beograd shkuam për të ndjekur punimet e partive simotra të Internacionales Socialiste në Ballkan. Takimi u hap me një deklaratë të përbashkët të partive të majta serbe, asaj Demokratike dhe asaj Social-Demokrate. Për turpin e reformatorit më të madh e më jetëshkurtër serb, Xhinxhiç, partia e tij ishte katandisur me një rezultat 5%, ndërkohë që bashkë me social-demokratët nuk merrnin dot më shumë se aq. As këtu nuk kishe nevojë të ishe ndonjë ekspert i politikës ballkanike për të parë se sa pak interesante ishte transformuar partia që udhëhoqi për vite me rradhë Serbinë, kur shihje se si gazetarët praktikisht i hoqën mikrofonat pa e mbaruar akoma fjalën kryetarit të ri të kësaj partie pas ikjes së Boris Tadic.

Aleksander Vucic është i pasfidueshëm sot në Serbi. Ai jo vetëm që zotëron shumicën parlamentare, por tezat e tij nacionaliste dhe populiste duket se zotërojnë dhe përfaqësimin moral të popullit serb. Ia vlen të vihet re se ky popull duket se nuk lodhet kurrë së përsërituri gabime historike njëra pas tjetrës. Konferenca kryesisht u fokusua në një qëndrim të përbashkët anti-nacionalist që në thelb është gjë e mirë, por të hidhje sytë në dhomë shihje vetëm fytyra të kapitulluara.

Punët nuk shkonin më mirë për socialistët boshnjakë, për të cilët mosfunksionimi total i vendit të tyre nuk shoqërohej me asnjë tezë alternative. Maqedonasit tashmë prej vitesh janë jashtë loje. Dielli dukej sikur nuk shndrinte as për ata që ishin në pushtet – në Bullgari për shembull – ku Kryeministri socialist ishte duke numëruar orët për të dhënë dorëheqjen, pas një eksperimenti të rrezikshëm në bashkëqeverisje me të djathtët.

Konferenca në vetvete nuk arriti të ngrihej mbi depresionin e pjesëmarrjes. Nuk u arrit, për shembull, të diskutohej seriozisht për ekonominë, si sfida përbashkuese e kohës, por gjatë gjithë kohës kanalizohej në rryma gati psikedelike që ndërthurrnin historinë (gjithmonë e keqkuptuar në këto anë) me disa halle kulturore që mund të ishin tema diskutimi në Danimarkë, Suedi, por jo në Ballkan.

Përveç të gjithave, ajo që të rëndonte më shumë ishte se nuk mësuam asgjë. Tragjedia më groteske e partive të majta në Ballkan ishte mungesa e analizës se pse konflikti etnik dhe populistët nacionalistë ishin rikthyer sërisht si kartë elektorale. Mungesa e përballjes me këtë realitet ishte aq e dukshme sa më shumë mësoje mbi gjendjen e përgjithshme me një shëtitje në Beograd, se sa me dy ditë të kaluara mbyllur në një dhomë me lidera të politikës të së majtës ballkanike. Unë vazhdoj të mendoj se këta njerëz e këto subjekte konstituojnë subjektet më progresiste dhe alternativën e vetme të debatueshme në rajon, por keqkuptimi mes tyre dhe popullit (ku populli kurrsesi nuk mund të ketë faj) kishte krijuar një boshllëk të madh komunikimi.

Për fat të keq, e vetmja monedhë që Ballkani nuk e ka në dispozicion për ta këmbyer është koha. Me sa duket, koha është e vetmja monedhë që në Ballkan ecën kaq shumë sa shpenzohet pa fund.

Në kthim, rruga dukej më e shkurtër, pasi udhëtimi vazhdonte për në Prishtinë. Jam gjithmonë shumë kurioz që lajmet për Kosovën dhe politikën atje t’i konsumoj duke biseduar me njerëz e jo nëpërmjet portaleve të lajmeve. Është një luks që mund t’ia lejoj vetes duke qenë se familja ime jeton aty prej 13 vjetësh, e unë kam jetuar disa vite gjithashtu.

Situata në Kosovë është shumë herë më interesante se kudo në aspektin politik. Pas rezultatit të fundit zgjedhor, partitë opozitare po bëjnë një koalicion që eventualisht do të heqë nga pushteti partinë e Thaçit, sido që partia e këtij të fundit i fitoi edhe kësaj here zgjedhjet. Për të qënë korrekt, rezultati i zgjedhjeve në Kosovë ishte, përveç një rrokade mes Pacollit (i cili nuk u fut në Parlament) dhe partisë së re të Limajt (që mori numrat për të pasur përfaqësuesi parlamentare), i njëjtë me atë të katër viteve më parë, pa asnjë ndryshim. M’u kujtua në fakt një shprehje që ka thënë Albin Kurti përpara se Vetvendosja të bëhej parti:

“Partitë politike marrin gati gjithmonë të njëjtin rezultat si ai që marrin herën e parë.”

Për fat të keq edhe për VV kjo ligjësi nuk çedoi. E megjithatë, çarja e re politike e bën të mundur në Kosovë kalimin nga një epokë e logaribërjes në epokën e logaridhënies, nga një parti shtet në një shtet me parti. Në të gjithë takimet melodia ishte e njëjtë: koalicioni është i brishtë dhe mosbesues, por e forcon qëndrimi i prerë për të çuar në opozitë pas dy mandatesh PDK dhe Thaçin. Në të kundërt, ky i fundit do të bëhej i pathyeshëm, duke e bërë njësoj të pathyeshëm edhe stanjacionin politik. Sido që kaosi mbizotëron sot në politikën kosovare, mendoj se ishte koha që të flitej më shumë për programe sesa për njerëz. Për këtë në fakt merita më e madhe shkon për Vetvendosjen, e cila sidoqoftë po propozon në gjithë Ballkanin një mënyrë të re të të menduarit të politikës. Një njeri i mençur që nuk do të citohet ka thënë dikur: “Idealizmi është pragmatizëm largpamës.”

Nuk ka, besoj unë, shprehje më ilustrative për të përkufizuar situatën politike sot në Kosovë.

Në fund, ajo që ka mbetur për t’u bërë, është që gjërat të bëhen. Interesante është se sa shumë politikë konsumon Ballkani, e se sa i paalienueshëm është subjekti ballkanik, i cili pavarësisht se shpeshherë shfaqet si kaotik, të paktën nuk harron të shfaqet.

Një proverb kinez thotë: “Jetofsh në kohëra interesante.” Në fakt Ballkani po jeton në kohëra interesante, ku e vjetra është shembur por e reja nuk ka mundur akoma të lindë. Kohët e mërzitshme të togfjalëve “integrim, euroatlantik, strategji, reforma, etj” duket se janë pa vend. Njerëzit tanimë i duan të gjitha, por njëkohësisht dukshëm nuk janë gati të presin. Nëse Gramshi do të ishte gjallë, patjetër që do të thoshte se kjo epokë ka nevojë për pesimizëm të arsyes dhe optimizëm të vullnetit.

Pavarësisht kapërcimeve, ngecjeve apo kthimeve pas, duket se ideologjisë po i ndërthurret sërisht rruga me politikën. Nuk ka nevojë më për menaxherë, por për strategë politikë që nuk frikësohen në ngritjen e narrativave të mëdha. Ballkani nuk është më i gatshëm të mbetet “kopështi pas shtëpisë” i Europës. Këta me gjasa do të duhet të ndërtojnë një dhomë më shumë brenda saj nëse nuk duan të humbin kopështin krejtësisht.

Për të qënë tërësisht i sinqertë, udhëtimin e para disa ditëve në Shkup, Beograd dhe Prishtinë nuk do ta bëja më për një kohë të gjatë. Kjo, pavarësisht se prej asaj kohe bluaj në mend vetëm bisedat me njerëz që kam takuar, apo kontekstin politik (aq i ngjashëm, po aq edhe i ndryshëm në çdo vend). Ndoshta, ta ndaja me lexuesin ishte e vetmja mënyrë për të shpëtuar prej tij. Por në fund, leksioni më domethënës ka të bëjë me larmishmërinë e mënyrave se si politikat i shtypin njerëzit, e sa të njëjtë janë ata që përpiqen për politika emancipuese në këto troje.

Për ta mbyllur, askush nuk e tha më mirë se Beckett: “Dështo një herë, dështo sërish, dështo mirë.”

Share This Article
3 Comments
  • Shkrim fin me ide të qarta pér të kuptuar cfare fshihet pas “balkan pazar-it”? M’u kthjelluan shumë gjera për të cilat kisha mjegull. Sidomos për çështjen e protestave ne kryeqytetin megalloman maqedonas. Serbët dhe maqedonasit me duken rrenacakët me te medhenj te ballkanit. Eh mor Leart? Jam i lodhur por ju lexova me kenaqësi sepse e dija që do te kishit dicka te re për te thenë? Nderime Leart!

  • Shkrim mjaft i pelqyeshem…shyqyr, nuk jam analist e te mjaftohem vetem me leximin dhe meditimin e materialit…ashtu si edhe autori, shpresoj per kohe e zhvillime me pozitive per popullin shqiptar, kudoqofte ai, ashtu si edhe per popujt e tjere ballkanike…

  • Fort bukur, sinqeriteti funksionoi. Fale jush sot do kem ne mendje thenien e A. Gramshit.
    Mire se erdhe Leart.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *