‘Balonat’, në dy kohë

redaktor

Çfarë ndodhi parmbrëmë në nënqiellin e Beogradit, mbi stadiumin ‘Partizani’ të kryeqytetit serb, ku u valëvit një flamur i sajuar shqiptar, ishte një risi në mjete, por jo në fantazi. Mbrëmjen e së martës, u realizua në terren ajo që para 30 vjetësh ishte një skenë filmi i Kinostudios. ‘Balonat’ quhej, me skenar dy emra pak të njohur të libretit filmik, Muharrem Skënderi dhe Halil Kamberi, por që dhuruan një fabulë interesante. Dy fëmijë, vërejnë një patrullë fashiste se si po fshinte në një faqe muri një parrullë komuniste; dhe njëri prej tyre sheh në ëndërr se si mundej që fashistët të mos i mbërrinin thirrjet revolucionare të luftës. E kështu, i shkoi mendja tek balonat, një ide që e ndau dhe me bashkëmoshatarë, me të cilët organizuan më pas fluturimin e balonave ku shkruheshin parrulla nacional-komuniste. Dhe ja si paraqitet kjo skenë nëpërmjet dialogut që zhvillohet në një kryqëzim rrugësh mes një aktivisti komunist e një burri në moshë:

-“Çfarë janë ato mor bir?”

-“Balona xhaxho, balona! Dhe e a di ç`a shkrujn? Vdekje fashizmit, liri e popullit! Rroftë partia komuniste shqiptare!”

-“Ah më ju lumtë fëmijëve! Nuk shuhet Shqipëria, jo!”

Edhe dialogu i mëposhtëm nga filmi, shkon tëpkë me situatën:                             —

-“Gjyshi thotë se balonat duhet të duken, ne jo. Sepse fashistët janë të egër e dinakë”.

-“Fashistët do të tërbohen! Ata nuk do ta marrin vesh se nga ngrihen balonat”.

Sigurisht, organizatorët e asaj sajese ku ngërthehet ideja, vullneti, patriotizmi inatçor dhe risitë e teknologjisë vizuale, as që u ka shkuar ndërmend se një ide e tillë ka ekzistuar më parë, por e trajtuar brenda fabulës së një filmi, pa ndodhur në realitet. Interesant është fakti se ai film, nuk përfshihet tek ata që ja vlen të shihen ende pavarsisht kohëve të tjera që kanë ardhur, për arsye të mungesës së ndonjë vlere te veçantë artistike, në realizim e libret. Por duhet të ndodhte ajo që ndodhi të martën mbrëma në Beograd, për t`u rivlerësuar të paktën si fabul.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *