Mario Baloteli akuzoi mbrojtësin e Katanias Nikolas Spoli për fyerje raciste, por pamjet filmike të ndeshjes nuk kanë ofruar prova që i akuzuari të dënohej nga gjykatësi sportiv. Dialogu, nëse ka ndodhur vërtet, ka qenë larg veshëve të gjyqtarit në fushë dhe jashtë objektivit të kamerave. Pas mbylljes së gjykimit, Baloteli ka postuar me ironi në Twitter: “Për fat, ka drejtësi në këtë vend”. Më tej, lojtari i Milanit kërkon të përmirësojë imazhin që ka në publik, pas shumë episodeve negative. “Njerëzit nuk më njohin se si jam në të vërtetë, megjithatë më paragjykojnë. Dëshiroj të rikthehem dhe të udhëheq Milanin. Jam impulsiv, nëse kam një mendim e them, por nuk i paragjykoj njerëzit që nuk i njoh. Dëshiroj që edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Ato që thuhen për mua janë shpikje ose të ekzagjeruara”, tha SuperMario.