Ban Ki-moon dënon dhunën në Kuvendin e Kosovës

Saimir Lleshi

Sekretari i Përgjithshëm Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon në raportin e tij më të ri për zhvillimet në Kosovë ka dënuar përdorimin e dhunës nga partitë opozitare.

Ndërsa, Ban ka përshëndetur dialogun në Bruksel dhe marrëveshjen mbi krijimin e Asociacionit të komunave serbe.

“E dënoj përdorimin e dhunës dhe frikësimin nga partitë opozitare që pengojnë punimet normale të Kuvendit të Kosovës, si dhe sulmet e papranueshme fizike nga ana e aktivistëve të opozitës drejtuar Kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë”, theksohet në raport.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë akterëve politikë të përmbahen nga retorika dhe veprimet që janë të papajtueshme me parimet dhe normat e një shoqërie të civilizuar dhe demokratike.

“Aktet e tilla dëmtojnë besimin e publikut në këto institucione si dhe imazhin e Kosovës në botë. U bëj thirrje sidomos akterëve politikë të opozitës që të përmbushin detyrat e tyre me përgjegjësi dhe pjekuri, duke respektuar plotësisht procesin demokratik dhe institucionet për të cilat janë zgjedhur”, thekson Ban.

Sekretari i Përgjithshëm edhe njëherë i është rikthyer dialogut në Bruksel duke e përshëndetur siç thotë, ‘përparimin e vazhdueshëm dhe marrëveshjet e arritura në mes Beogradit dhe Prishtinës e në veçanti parimet e përgjithshme dhe elementët kryesorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe‘.

Ai thotë se themelimi i këtij Asociacioni është ‘një hap thelbësor drejt zbatimit të plotë të kësaj marrëveshje historike dhe përmirësimit të mëtejshëm të jetës e përditshme të popullatës së Kosovës’.  Sekretari Ban përgëzon kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë në kryerjen e këtij procesi dhe inkurajon ‘të gjithë liderët në Prishtinë dhe Beograd që të mbështesin finalizimin e statutit të asociacionit të komunave sipas kornizës së dakorduar kohore si dhe të sigurojnë zbatimin e shpejtë të të gjitha marrëveshjeve të përfshira në pakon e 25 gushtit.

Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu ka përshëndetur ‘miratimin e shumëpritur të amendamentit kushtetues dhe ligjet e tjera për krijimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës,’ duke e quajtur këtë ‘një progres vendimtar për të demonstruar përkushtimin e Kosovës ndaj parimeve themelore të drejtësisë dhe llogaridhënies’.

Nën presidencën e Britanisë së Madhe për këtë muaj, anëtarët e Këshillit të Sigurimit do të debatojnë dhe vlerësojnë zhvillimet tremujore të prezantuara në këtë raport të enjten më 19 nëntor./Rtk/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *