Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë, depozitoi mesditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda, kërkesën për masën e sigurisë “arrest me burg”, për bandën e “Babagjyshave”, me akuzën e 13 grabitjeve, nga të cilat 9 të dokumentuara me prova.
Burime nga organi i akuzës thanë se masë sigurie u kërkua për të arrestuarit Ilir Kupa, (prej 21 janarit 2014 ndodhet në qeli), Agustin Sulën, i penduar, Hajdar Sefën dhe Julian Qerushin, të gjithë me precedentë të mëparshëm penalë në grabitje, apo të dënuar në mungesë.
Masë po në mungesë u kërkua për të kërkuarit Fatmir Pjetri, Dritan Kola (ky vëllai i Marjan Kolës, i vrarë në përleshje me policinë greke pas arratisjes nga burgu) dhe Saimir Kalën. Kurse për Mirjan Elezin është kërkuar pushimi i çështjes pasi rezulton i vrarë në Maqedoni më 29 korrik 2014, gjatë një grabitjeje.
Por ndërkohë është kërkuar masë edhe për 5 argjendarë nga qytete të ndryshme, të cilët kanë përvetësuar floririn e vjedhur dhe bizhutë. Të gjitha detajet e grabitjeve i ka dhënë i penduari Sula. Masa pritet të zhvillohet ditën e sotme.
Prokuroria njofton se banda e “Babagjyshave” është një grup i strukturuar kriminal, me qëllim grabitjen, i ngritur menjëherë pas hyrjes së të arratisurit Ilir Kupa në territorin shqiptar.
Ky i fundit ka mohuar nga qelia përfshirjen në grup. Por sipas të penduarit Sula, ka qenë Kupa që i thirri “nën armë”, duke qenë se të tetë anëtarët ishin të njohur për precedentët e tyre në Greqi, Itali apo Shqipëri, për vjedhje me armë dhe të dënuar apo të kërkuar ndërkombëtarë.
Grupi ka pasur 8 anëtarë, kurse si bashkëpunëtorë 5 të tjerë, që janë argjendarë, të cilët përvetësonin mallin e grabitur. Emrat e tyre nuk publikohen për momentin, ndërsa do jetë gjykata që do vendosë nëse do arrestohen apo hetohen në gjendje të lirë.
Grupi akuzohet për 9 grabitje të dokumentuara, mes tyre 6 argjendari (2 nga të cilat në Maqedoni) dhe 3 makina. Hetohen edhe për 4 grabitje të tjera në Tiranë dhe Vlorë, mes të cilave edhe pika e basteve të Mark Frrokut.
Po hetohen për precedentë të tjerë brenda vendit, ku vlen të theksohen grabitjet e pikave të karburanteve, apo vilave në Lezhë, Fushë-Krujë dhe deri në Mirditë.
Skenat e grabitjeve ishin të gjitha të ngjashme dhe të organizuara mirë. Por aksidentalisht në disa prej ngjarjeve kanë lënë gjurmë biologjike dhe gishtërinjsh.
Banda e “Babagjyshave”:
Ilir Kupa, 28 vjeç, i arrestuar
Agustin Sula, 25 vjeç, i arrestuar
Hajdar Sefa (Xaka), 30 vjeç, i arrestuar
Julian Qerushaj, 29 vjeç, i arrestuar
Fatmir Pjetri, 28 vjeç, në kërkim
Dritan Kola, 36 vjeç, në kërkim
Saimir Kala, 31 vjeç, në kërkim
Mirjan Elezi, 29 vjeç, i vrarë

