Arrestohet sërish biznesmeni Ilir Karçini

Elton Tafaruci

Arrestohet për herë të dytë Ilir Karçini, biznesmeni i akuzuar se porositi vrasjen e rivalit të tij në fushën e gazit Piro Bare.

Gjykata e Apelit të Krimeve të rënda rindryshoi masën për tregtarin e gazit, nga arrest shtëpie në ‘arrest me burg’.

Karçini, i cili është aksioner i vetëm i kompanisë “Primagaz” u arrestua pasi vrasësi me pagesë Julian Sinanaj vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë.

Referuar dëshmisë rezultoi se për vrasjen e biznesmenit Piro Bare, Sinanajt i ishin ofruar 120 mijë euro. Ai ka pohuar se shuma e parave i është ofruar nga Andon (Erjon) Mëhilli, i cili ndërmjetësonte urdhëruesit e krimeve me të dyshuarin si vrasës me pagesë.

Nga dëshmia rezulton se biznesmeni Bare do të ekzekutohej më 25 janar 2014 dhe porositësi i krimit ishte biznesmeni Karçini.

Fotot e biznesmenit dhe të makinës janë gjetur në celularin dhe aparatin fotografik të Sinanajt.

Prishja e pazareve mes tyre bëri që Sinanaj dhe furnitori i tij, Ndriçim Gjokona, që ka pasur statusin e të penduarit, të përplaseshin dhe ky i fundit ta denonconte në polici.

Më 25 janar Sinanaj u arrestua në afërsi të “21 Dhjetorit” në Tiranë.

Ilir Karçini u gjykua në një proces me gjashtë të akuzuar të tjerë të dosjes së njohur me emrin “Banda e Tritolit”.

Gjykata e Krimeve të Rënda dha në total 85 vite burg dhe një burgim të përjetshëm për 7 të pandehurit.

U dënua me 35 vite burg Julian Sinanaj, 10 vite burg Genis Mëhillaj, i cili është ende në kërkim, 8 vite është dënuar Ndriçim Gjokonaj, 19 vite ka dhënë gjykata për Marjon Mitron, 8 vite burg për Albin Mexhajn, 5 për biznesmenin Ilir Karçini dhe ka dënuar me burgim të përjetshëm Andon Mëhillajn.

Share This Article
1 Comment
  • Inisiatori i krimit qe ngeli ne tentative, eshte Karcini. Ai beri porosine, dhe pagoi 120 Mije Dollare ose Euro.
    Karcini u denua me pak nga te gjithe?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *