Kryeministrin demokrat, Sali Berisha aq shumë e ka kapur dalldia zgjedhore sa nuk lë gjë pa përuruar. Madje dhe ato vepra që i ka përuruar fushatën e kaluara dhe që mbetën në kuadër fushate, në premtim të ca vendeve të punës që kurrë nuk u dhanë se puna nuk nisi kurrë, dhe në premtim të energjisë elektrike, që kurrë nuk mori ndonjë ndryshim që në kohërat e mëparshme. Përurimi i nisjes së punimeve përgatitore për ndërtimin e hidrocentralit të Banjës në rrethin e Elbasanit, një nga tre veprat energjetike që do të ndërtohen në kaskadën e lumit Devoll nga kompania norvegjeze “Statkraft”, është skandali i fundit zgjedhor i kryeministrit Sali Berisha. Një gjë të tillë e ka bërë dhe në vitin 2009, vetëm pak ditë më parë zgjedhjeve të përgjithshme të atij viti. Por shefi i qeverisë e ka “harruar” këtë detaj duke e cilësuar projektin më madhor në fushën energjetike gjatë 30 viteve të fundit, duke shtuar se me përfundimin e tij bëhet realitet premtimi për shndërrimin e Shqipërisë në një fuqi energjetike në rajon. Madje firmwn në dosjen e kontratës për ndërtimin e 3 HEC-eve Berisha e lancoi dhe në faqen e tij në Facebook tre ditë më parë. Madje ai shpjegoi dhe detaje të këtij projetki, pasi sipas tij hidrocentrali i Banjës, i pari nga hidrocentralet që do të ndërtohen mbi strukturat ekzistuese të papërfunduara do të ketë një lartësi dige prej rreth 80 metrash. Liqeni do të ketë një sipërfaqe prej rreth 14 kilometër katror. Kapaciteti i instaluar i HEC Banjë do të jetë rreth 65 MË. Projekti Hidroenergjetik i Devollit me vlerë totale prej mbi 800 milionë euro, do të ketë një kapacitet të instaluar prej rreth 280 MË dhe përbëhet nga tre hidrocentrale dhe rezervuare, Banjë, Kokël dhe Moglicë. Hapi i parë në zhvillimin e projektit hidroenergjetik të Devollit është hidrocentrali i Banjës. Liqeni që do të krijohet do të ketë një sipërfaqe prej afërsisht 14 km² dhe rezervuari do të shtrihet nga Banja deri në afërsi të qytetit të Gramshit. Diga ekzistuese e Banjës është nisur në mesin e viteve 1980, por në fillim të viteve 1990 ndërtimi i projektit u ndal dhe strukturat e projektit nuk u përfunduan. E përuroi po ky kryeministër dhe në vitin 2009, por punimet e Banjës nuk nisën asnjëherë. U dëgjuan asokohe vec ca thirrje elektorale, ca premtime tipike dhe cdo gjë u harrua më pas. Madje asokohe flitej për një kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 320 megavatesh dhe me vlerë investimi prej 1 miliard eurosh. Energjia e prodhuar nga ky projekt do të mbërrijnte në shtëpitë e shqiptarëve rreth vitit 2017-2019. Kësaj llogaritje tashmë i është shtuar dhe një katër vjecar i munguar që do të thotë se nëse verte këtë radhë do të nisë puna, energjia e Banjës do të mbërrijë tek qytetarët aty nga viti 2023. Por kush na siguron dhe këtë radhë që nuk do të mbetemi thjesht tek premtimi elektoral, firmosja elektorale dhe nga “dëshira” qeveritare për të dhënë me koncension cdo pikë ujë të vendit tonë, e në fund për të ndërtuar asgjë. Madje në disa raste, dhënia me koncesion i burimeve ujore ka sjellë ripërshtatjen e projekteve sipas interesave të sipërmarrësve, gjë që ka sjellë reduktimin e vlerës strategjike të tyre në rrjetin kombëtar të energjisë. Shqipëria ka ende pjesën më të madhe të burimeve ujore të pashfrytëzuara për prodhim energjie elektrike, qeveria jonë është përpjekur gjatë këtyre viteve të bëjë cdo gjë për të shitur apo privatizuar, por që ka dështuar në cdo drejtim të saj.