Kur opozita prej ditësh është impostuar në foltoren e saj dhe çdo ditë reagon për CEZ-in dhe marrëveshjen që arriti qeveria shqiptare për të mos shkuar në arbitrazh, vjen dhe reagimi i Bankës Botërore për këtë çështje. Dhe e gjitha kjo vjen në një moment kur i jepet dhe ndihmë sistemit energjetik nga Banka Botërore me një fond programi prej 150 milionë dollarësh. “Ndër reformat më të rëndësishme e të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të rivendosur ekuilibrin fiskal në Shqipëri janë besueshmëria dhe qëndrueshmëria financiare më e madhe e sektorit të energjisë,” tha Ellen Goldstein, Drejtore e Bankës Botërore për Europën Juglindore. “Zgjidhja e shpejtë dhe e drejtë e mosmarrëveshjes tregtare në lidhje me kompaninë e shpërndarjes, bën të mundur që Shqipëria të shpjerë përpara këto reforma vendimtare si dhe kryrjen e investimeve shumë të nevojshme në sistem”, ishte reagimi i drejtores së BB-së. Në një njoftim për mediat, Banka e konsideron zyrtarisht marrëveshjen, si të drejtë dhe si të domosdoshme, për t’i hapur rrugë reformave jetike në këtë sektor. Deklarata ka ardhur pas përfundimit të negociatave me qeverinë, të paketës 150 milionë dollarëshe, që Banka Botërore do të financojë për sektorin energjetik në Shqipëri. Në njoftimin zyrtar, Banka bën të ditur se negociatat përfunduan me sukses dhe programi 150 milionë dollarësh, që ajo do të financojë, do të mbështesë reformat në sektorin e energjisë në Shqipëri, veçanërisht përpjekjet për të përmirësuar në vijimësi furnizimin me energji elektrike dhe qëndrueshmërinë financiare të këtij sektori. Sipas Goldstin, programi i saponegociuar do të sjellë përmirësime të rëndësishme në shërbimet e energjisë elektrike për konsumatorët shqiptarë, shumë prej të cilëve i paguajnë faturat e tyre, ndërkohë që të tjerë nuk i paguajnë, duke e konsumuar energjinë në mënyrë të paligjshme. Marrëveshja e arritur së fundmi mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Kompanisë Çeke CEZ vendos një strukturë të qartë të pronësisë në sektorin e energjisë, e cila lehtëson reformimin dhe investimet e mëtejshme. Programi i saponegociuar do të sjellë përmirësime të rëndësishme në shërbimet e energjisë elektrike për konsumatorët shqiptarë, shumë prej të cilëve i paguajnë faturat e tyre, ndërkohë që të tjerë nuk i paguajnë duke e konsumuar energjinë në mënyrë të paligjshme. Nga ana tjetër sipas drejtuesit të programit për rimëkëmbjen e sektorit energjetik Salvador Rivera, projekti që do të financohet nga Banka Botërore është hapi i parë i nevojshëm për të ndihmuar përpjekjet në përmirësimin e cilësisë së shërbimit për konsumatorët, uljen e humbjeve në shpërndarjen e energjisë nga niveli aktual prej 42% në rreth 20% në vitin 2018 dhe zbatimin e reformave prioritare në këtë sektor në përputhje me legjislacionin e BE-së. Sipas tij, programi do të ofrojë mbështetje në planin afatshkurtër për financimin e importeve të energjisë gjatë periudhave të thatësirave e do të mbështesë gjithashtu edhe reformat në menaxhimin e sektorit, ristrukturimin institucional e zbatimin e një plani afatmesëm dhe afatgjatë për qendrueshmërinë financiare të sektorit. Sektori energjetik shqiptar rezulton të jetë një sektor i zhytur në borxhe dhe me një serë problematikash të tjera. Një ndër problematikat kryesore, pas nivelit të lartë të humbjeve dhe amortizimit të rrjetit, ishte edhe ajo e pronësisë së rrjetit të shpërndarjes. Pas padisë në arbitrazhin ndërkombëtar nga kompania çeke, pala shqiptare ra dakord që problematika të zgjidhej me marrëveshje. Kjo e fundit parashikon detyrimin e palës shqiptare që brenda 4 viteve të shlyejë 95 milion euro për kompaninë çeke.
Rama replikon me PD: Mos është edhe BB dëshmitare e rreme?
Pas deklaratës së Bankës Botërore, e cila mbështeti marrëveshjen e qeverisë shqiptare me CEZ, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Ai ka replikuar me PD-në, e cila prej disa ditësh akuzon qeverinë për marrëveshjen me CEZ. “Banka Botërore bën publike mbështetjen e plotë dhe vlerësimin për marrëveshjen me CEZ! Apo edhe BB dëshmitare e rremë si FMN?”, thotë Rama.
Basha sulmon BB: Është patericë e dyshes Rama-Meta
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka reaguar pas deklaratës së Bankës Botërore, e cila thotë se marrëveshja e qeverisë me CEZ ishte zgjidhja më e mirë. “Nuk ka patericë që e shpëton dyshen Rama -Meta nga transparenca për vjedhjen e shekullit! Çdo shqiptar paguan 1,1 milionë lekë nga marrëveshja e paligjshme dhe antikushtetuese me CEZ! Orën e të vërtetës nuk ka forcë mbi tokë ta ndalë”, shkruan Basha.
banka boterore ne situaten e sotme po humbet klientet.Ajo ishte arkitekte e bonove te thesarit e vjedhje privatizimeve ,e cekut te bardhe dhe e terapise te shokut.me udheheqjen e saj ja ku eshte vendi ne varferi dhe e qeverisur nga hajdutet.
Banka boterore do lavderoje cdo qeveri qe merr borxhe se pa dhene borxhe ajo falimenton.