Banka Botërore paralajmëron sërish: Kujdes me borxhin publik

editor

Këshilla e ndërëkombëtarëve është e qartë në marrjen e masave për shkurtimin e shpenzimeve dhe rritjen e të ardhurave për ta mbajtur borxhin gjatë 2013-s në të njëjtin nivel që është dhe më pas të zvogëlohet gradualisht

 

Institucionet ndërkombëtare lëshojnë sërish sinjale për qeverinë shqiptare në kujdesin për menaxhimin e financave publike. Paralajmërimi këtë radhë ka ardhur nga Banka Botërore, ku sinjat kanë qenë të qarta për mos kalim të borxhit publik dhe kujdesin në investime. Burime pranë Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se prej dy ditësh, Kseniaya Lvovsky, drejtore e zyrës së BB në Shqipëri, po zhvillon takime me drejtues të këtij dikasteri, me objekt  mirëmenaxhimin e shpenzimeve buxhetore në një vit elektoral, niveli i borxhit publik, si dhe përdorimi i të ardhurave nga privatizimet. Ky paralajmërim i ardhur që në nisje të vitit dhe i përsëritur me forcë prej institucioneve të huaja, është një sinjal i qartë se financat tona publike nuk po menaxhohen si duhet nga qeveria shqiptare. Dhe në këtë vit elektoral shpenzimet duket se do të kalojnë cdo pritshmëri dhe ndaj sinjalet vijnë nga të gjitha drejtimet. Por dikasteri i financave më duket se nuk do të tërhiqet, duke riskuar në borxhin publik e kjo duke e çuar në mënyrë të drejtpërdrejtë tek qytetarët shqiptarë.

Ligji për menaxhimin e sistemit buxhetor parashikonte se tavani i borxhit publik nuk mund të ishte më i lartë se 60 për qind, një nen që u shfuqizua, duke i dhënë mundësi të lirë rritjes së borxhit.  Edhe pse nuk është vendosur një shifër tjetër përsa i përket nivelit të borxhit publik, qeveria ka përcaktuar se niveli i ri i borxhit do të jetë 62.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por që në fillim të këtij viti është korigjuar sërish duke kapur nivelin e 64 për qindëshit. Nga ana e tij kryeministri demokrat është shprehur se do të ketë ndryshime në  buxhetin e këtij viti, për të ulur shpenzimet, si rezultat i ndërmarrjes së një sërë  reformash në sistemin fiskal. Por nga ana tjetër deklaron se do të hiqen taksa për kategori të ndryshme biznesi, duke krijuar një amulli në të gjithë sistemin fiskal. Institucionet ndërkombëtare si FMN dhe BB kanë këshilluar qeverinë shqiptare vazhdimisht që të ulë nivelin e borxhit publik. Kështu shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, vetëm një muaj më parë është shprehur, se “Shqipëria ka një borxh të lartë publik dhe ulja e tij duhet të vijë përmes buxhetit. Këshilla e tyre ka qenë e qartë në marrjen e masave për shkurtimin e shpenzimeve dhe rritjen e të ardhurave për ta mbajtur borxhin gjatë 2013-s në të njëjtin nivel që është dhe më pas të zvogëlohet gradualisht.  Shqetësimi i institucionit të lartë monetar lidhet me mungesën e masave të nevojshme për të përballuar të ardhmen. Pika ku qeveria shqiptare nuk përputhet me FMN-në  dhe BB, nuk është vetëm niveli i huasë, por edhe ndërmarrjet në sistemin fiskal ku janë propozuar  heqja e një sërë taksash  të cilat pritet të keni një efekt jo të vogël në buxhetin e shtetit. Por duket se këto zëra do të mbeten vec të tillë, pasi asnjë nga këto rekomandime nuk po reflektohen nga qeveria shqiptare.

Nga ana tjetër megjithëse Buxhetit i Shtetit i vitit u pompua si buxheti më i madh i kohërave, ai nuk rezulton i tillë. Dhe çdo llogjikë e thjeshtë të shtyn në përfundimin se një vit me rritje ekonomike doemos duhet të gjenerojë më shumë të ardhura fiskale për shtetin dhe qytetarët e atij vendi. Kjo aritmetikë e thjeshtë ekonomike tek ne nuk duket e reflektuar në buxhetin e këtij viti dhe askush nuk mban përgjegjësi për atë që bën. Pavarësisht nga kriza financiare botërore dhe sidomos në eurozonë, e cila ka ndikimet e saj, problematika kryesore e strukturave tona fiskale është e brendshme. Legjislacioni fiskal dhe aktet e tjera ligjore e nënligjore janë shpesh kontradiktore dhe jo transparente. Ndryshimet e shpeshta dhe mungesa e informacionit apo marrja me vonesë e tij ka sjellë jo vetëm problemin e mosrespektimit të legjislacionit nga ana e bizneseve, por edhe probleme në marrëdhëniet jokorrekte midis bizneseve dhe punonjësve të administratës tatimore, duke favorizuar mundësitë për mitmarrje dhe korrupsion. Shtuar dhe këto fakte bashkë me premtimet qeveritare, shqiptarët po zhyten në një krizë të thellë ekonomike ku mund të mos shohin një rreze shprese.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *