Në një nga vendimet më të pritura ndër vite, Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) vendosi të enjten të ulë normën e interesit duke i zbritur në 0.15 % dhe mbi të gjitha tu marrë bankave 0.1 % të depozitave të tyre. Me këtë, Banka Qendrore Evropiane ka për qëllim të rrisë ekonominë përmes kreditimit dhe të shmang deflacionin. Pra, Banka Qendrore Evropiane ka ulur normat e interesit në 0.15%, nga 0.25 %. Për herë të parë BQE imponon norma negative interesi për depozitat. Kjo do të thotë që njësia ekonomike e kryesuar nga Mario Draghi do tu marrë bankave para për herë të parë në histori. Pritet që me këtë vendim, bankat të jenë të detyruara të japin kredi dhe në këtë mënyrë të rritet ekonomia dhe të largohet deflacioni. Por ulja e normës së interesit ka bërë gjithashtu që qytetarët, të cilët kanë depozita në bankat evropiane të kenë më pak fitime, madje norma e interesit të një depozite ka shënuar vlera negative. Interesat e një shume të mbyllur në bankë janë mesatarisht -0.1%, çka do të thotë që ai që depoziton para tashmë del me humbje. Menjëherë pas deklaratës së Draghit erdhën dhe reagimet e para kritike. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble, i cili u takua dje në mëngjes në Berlin me homologun e tij italian, ka shprehur shqetësimin për “rrezikun që kjo politikë monetare shumë ekspansioniste do të parandalojë që disa qeveri të kryejnë reformat e nevojshme dhe se ulja e normës nuk është një zgjidhje. Draghi pranon se ka diçka të vërtetë në këto kritika dhe kështu paralajmëroi se kur niveli i inflacionit të rritet, normat e interesit do të rriten përsëri. Kështu, ai është përpjekur të sigurojë depozituesit duke thënë se do të marrin interesat e tyre kur situata ekonomike të përmirësohet sërish. Së fundi, Draghi ka lënë derën hapur për veprime të mëtejshme në muajt e ardhshëm dhe paralajmëroi se “nëse konsiderohet e nevojshme do të marrin masa të mëtejshme jokonvencionale. Ai pohoi se institucioni që ai drejton do të ndërmarrë çdo masë të nevojshme në shërbim të forcimit të Euros. Taksa e re për depozitat e bankave hyn në fuqi më 11 qershor, ndërkohë që paralajmërohen të tjera masa.
