Banka Qendrore: Punësimi në stanjacion

anazapta

Raporti i Politikës Monetare për trë muajt e parë të këtij viti të bërë nga Banka e Shqipërisë ka nxjerrë në pah stnajacionin që po kalon punësimi në vend.  Banka e Shqipërisë vlerëson se ngecja e treguesit të papunësisë pranë nivelit 13 për qind është një tregues se ekonomia shqiptare është më pak e aftë të prodhojë rritje dhe punësim, si rezultat i efekteve në rritje të krizës në ekonomi. “Aktiviteti ekonomik është ngadalësuar progresivisht gjatë katër viteve të fundit”, thuhet në këtë raport. Nga ana tjetër, punësimi ka ardhur në rritje, duke shkaktuar rënien e produktivitetit të punës gjatë kësaj periudhe. “Rigjallërimi i këtij të fundit, ndër të tjera, do të kushtëzojë performancën e ardhshme të ekonomisë. Kushtet në tregun e punës vazhdojnë të përcaktojnë dinamikën negative të pagave dhe të kostove të tjera të punës, duke përcjellë presione të dobëta inflacioniste”, cilëson raporti duke dhënë si dëshmi të stanjacionit të punës nivelin e pandryshuar në përqindje gjatë këtyre viteve . Në këtë mënyrë bilanci i forcave të punës tregon se punësimi në ekonomi ka shënuar rritje, ndërsa numri i të papunëve dhe norma e papunësisë ka ardhur në rënie, por duke qëndruar në nivelin 12.8 si shkallë papunësie në fund të vitit. Po kështu Banka Qendrore konstaton të konfirmuar parashikimin për rritje të ngadaltë të eksporteve gjatë këtij viti. Në raportin tre mujor, Banka Qëndrore vlerëson se kriza ekonomike në ekonomitë partnere ka dobësuar kërkesën e jashtme për mallra shqiptare dhe eksportet janë rritur me ritme më të ulëta krahasuar me vitin 2012. Kjo ka shkuar paralelisht me dobësimin e kërkesës së brendshme. Ndonëse të dhënat janë shumë të pjesshme dhe të tërthorta, Banka Qendrore konstaton përkeqësim të mëtejshëm të konsumit privat. Rritja e ngadaltë e të ardhurave të disponueshme dhe pasiguria ja ka rrudhur akoma më shumë dorën shqiptarëve për të shpenzuar. Dobësia e dëshmuar nga rritja ekonomike më e dobët në 15 vjet gjatë vitit të kaluar është bartur edhe në vitin 2013. Kërkesa e dobët e ka thelluar më shumë hendekun negativ të prodhimit dhe sipas Bankës Qendrore ekonomia i është larguar akoma më shumë nivelit të rritjes potenciale dhe kjo reflektohet në dobësim të investimeve private. Po kështu deficiti buxhetor u rrit me 41.5 për qind gjatë këtij tremujori, duke reflektuar rënien me 3.6 për qind të të ardhurave fiskale dhe rritjen me 1.4 për qind të shpenzimeve publike. Banka e Shqipërisë tërheq edhe njëherë vëmendjen për rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrave fiskalë dhe për kontrollin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik në nivele të përballueshme e të padëmshme për ekonominë shqiptare.

 

Share This Article
1 Comment
  • Fjala stanjacion cfare do te thote ne shqip???
    Do ftoja autoren e shkrimit dhe redaksine te perdorin
    fjale shqip!!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *