Ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2015 përbëhen nga operacione të tregut të hapur për injektim të përkohshëm të likuiditetit.
Sasia totale e likuiditetit të injektuar ka rezultuar mesatarisht 31.1 mld lekë kundrejt 36.4 mld lekëve në tremujorin e mëparshëm. Nevoja për likuiditet ka ardhur në rënie si rezultat i plotësimit të nevojave për financim të Ministrisë së Financave nga tregu i jashtëm dhe jo nga tregu i brendshëm.
Banka e Shqipërisë ka ulur portofolin e saj me rreth 10.9 mld lekë në operacionet e blerjes para maturimit të Ministrisë së Financave dhe nëpërmjet uljes së pjesëmarrjes në ankande.
Për injektimin e likuiditetit të përkohshëm, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor në mesatarisht 16.0 mld lekë kundrejt mesatarisht 20 miliardë lekëve në ditë në tremujorin e mëparshëm, ndërsa injektimet njëmujore qenë mesatarisht 10.8 mld lekë kundrejt 14 mld lekëve në tremujorin e tretë.
Gjatë tremujorit të fundit të vitit është rinovuar për 2 mld lekë maturimi 3-mujor prej 2.45 mld lekësh i muajit korrik, ndërsa injektimet 3-mujore të muajit gusht dhe shtator u maturuan.
Megjithatë, injektimi mesatar ditor i likuiditetit nëpërmjet këtij instrumenti u rrit në 4.2 miliardë lekë kundrejt 2.3 miliardë lekëve një tremujor më parë.
Operacioni injektues njëditor është përdorur në tre raste në ditën e fundit të mbajtjes së rezervës së detyruar për mesatarisht 3.4 mld lekë. Një tremujor më parë, ky operacion është përdorur vetëm një herë dhe me të njëjtin objektiv.
