Bankat kundër “urdhrit” të BSH, rrisin interesat e kredisë

Elton Tafaruci

Ndonëse kredia shënoi gjallërim në muajin maj, ajo ka qenë më e shtrenjtë si për bizneset ashtu dhe për individët. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit për kreditë e reja për të gjitha afatet e maturimit u rrit ndjeshëm në maj, në 7.29%, nga 6% që kishte zbritur në prill, niveli më i ulët historik ky.

Kjo rritje është në lëvizje të kundërt me politikën lehtësuese monetare të Bankës së Shqipërisë që në prill dhe në maj uli dy herë radhazi normën bazë me 0.25 pikë përqindjeje çdo herë, duke e çuar në 1.25%. Përmes kësaj uljeje Banka e Shqipërisë sinjalizon bankat që të reduktojnë koston e parasë, në mënyrë që bizneset e individët të nxiten të marrin kredi të lira, duke I dhënë hov ekonomisë së dobët.

Rritja e interesave të kredisë mund të sinjalizojë se politika lehtësuese monetare është ezauruar dhe bankat po veprojnë në të kundërt në mënyrë që të ruajnë fitimet e tyre, një tendencë kjo që po shfaqet në fakt dhe në vendet e eurozonës, ku rënia e normave afër zeros ka rritur dilemën se si do të reagojnë bankat.

Rritjen më të madhe në maj e shënuan normat e interesit për kreditë 6-12 muaj, nga 4.29% në 8.3%. Megjithëse ulja në prill mund të ketë ardhur nga ndonjë kredi e madhe, sërish kosto e huadhënies në maj ishte pothuajse e njëjtë sa në muajin mars, përpara se Banka e Shqipërisë të ulte dy herë radhazi normën bazë.

Një tndencë positive ka qenë ulja e kredive afatgjata, mbi 5 vjet, interesat e të cilës kanë zbritur në nivele minimum historike prej 5.49%.

Në maj, huadhënia për ekonominë ka shfaqur shenja gjallërimi në maj, pas muajsh të tërë kur ishte futur në ngërç. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i kredisë në fund të muajit maj arriti në 551 miliardë lekë, duke shënuar një rritje me 0.7% me bazë mujore. Ky është zgjerimi më i madh mujor që nga nëntori 2014.

Efektin kryesor në këtë përmirësim të kreditimit e dha huaja për korporatat e tjera jo financiare (bizneset), kryesisht në valutë, që u rrit me 1% me bazë mujore.

Është gjallëruar edhe huaja për individët, kryesisht në lekë, që ka parë një rritje prej 1.2%.

Megjithatë, me bazë vjetore, rritja e huasë vijon të jetë negative, prej -1.6%. Ritmet e rënies janë zvogëluar gjithsesi, në raport me prillin, kur ishte 2%./MONITOR

 

 

Share This Article
2 Comments
  • PARAJA ESHTE MALLI TEK ME I RENDESISHEM NE EKONOMI.

    AJO PERFSHIHET NE 50% TE CDO VEPRIMI.

    TE VENDOSESH CMIMIN E PARASE, ME URDHER NJESOJ SIC VENDOSTE KOMUNIZMI CMIMIN E MALLRAVE, ESHTE KRIM QE NUK VONON SHUME DHE TA KTHEN KUSURIN.

    RROFTE POPULLI SHQIPETAR, TRIM DHE HEROIK.

  • PARAJA, ESHTE MALLI ME I RENDESISHEM TEK NE EKONOMI, AJO PERFSHIHET NE 50% TE CDO VEPRIMI.

    TE VENDOSESH CMIMIN E PARASE ME URDHER NGA LART, NJESOJ SI TOLLONAT E XHAXHIT ENVER, ESHTE NJE KRIMI SHUME I SHEMTUAR, I CILI HERET A VONE TA KTHEN KUSURIN PRAPA.

    CMIMI I PARASE DUHET TE VENDOSET NGA TREGU, DHE JO NGA TE FALIMENTUARIT.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *