“Shumë shtete duhet ende të kuptojnë se sovranitetin e tyre e kanë humbur kohë më parë. Në të shkuarën kanë lejuar që borxhi publik të kapte nivele rekorde dhe tani kanë nëvojë për mëshirën e tregjeve financiare. Këto shtete do rifitojnë sovranitetin e tyre vetëm nëse e menaxhojnë sëbashku në nivelin e Bashkimit Europian”. Këto fjali kanë nevojë për një shpjegim të shkurtër para se lexuesi t’u zbulojë burimin. Shtetet europiane që janë zhytur në borxhe deri në fyt nuk mund të vendosin më fatin e tyre dhe janë totalisht në dorën e kredidhënësve. E vetmja mënyrë që kanë për të rifituar sadopak fuqi vendimarrëse, është krijimi i një BE-jë politike, pra federale.
Ligjërata e mësipërme vjen nga Mario Draghi (intervistuar nga gjermania Der Spiegel), Presidenti i Bankës Qëndrore Europiane (BQE), padyshim figura publike më e rëndësishme e vitit që po lëmë pas. Janë fjalë që i ngjasojnë një çekiçi i cili thërrmon edhe iluzionet e fundit (nëse akoma kanë ngelur) se ku thuren me të vërtetë fatet e italianëve, spanjollëve, portugezëve, irlandezëve dhe, normalisht, grekëve.
Kriza aktuale në BE është shkaktuar nga mungesa e besimit dhe likuiditetit. Besimit sepse qeveritë e Europës së jugut janë kryesuar nga tipa alla-Berlusconi dhe likuiditetit sepse BQE-së, i vetmi institucion që mund të stampojë monedhë, i është prerë që në lindje një këmbë. Historikisht Bankat Qëndrore kanë në dispozicion dy instrumenta në funksion të zbutjes së luhatjeve ciklike të ekonomisë. Sistemi vepron pak a shumë si një stabilizator. Kur shfaqen shenjat e recesionit Bankat Qëndrore hedhin në qarkullim më shumë para duke rritur sasinë e likuiditetit, nxitur investimet dhe shmangur papunësinë. Kur ekonomia është në zhvillim, likuiditeti i tepërt shkakton inflacion dhe detyra e Bankave Qëndrore është tërheqja nga sistemi i sasi të caktuara monedhash.
Shembulli konkret është Federal Reserve e SHBA-së e cila prej vitesh vazhdon të pompojë dollarë në trupin e sëmurë të ekonomisë amerikane dhe vetëm prej pak kohësh po i shikon frytet e kurës. Por statuti i BQE-së ndalon levën e kontrollit monetar sepse “qëllimi kryesor është ruajtja e qëndrueshmërisë së çmimeve” (neni 2). Frika nga politikat e shteteve europiane të zhvlerësimit të monedhës (të ndjekura gjatë viteve ’80), prodhoi një statut të mangut.
Mario Draghi nuk mund të blejë drejtpërdrejt bonot e thesarit të shteteve të eurozonës në vështirësi, duke shkaktuar një rritje të kontrolluar inflacioni, dhe si pasojë është i detyruar të ndjeki rrugë dytësore: domethënë të diskutueshme.
Dhjetorin dhe shkurtin e kaluar BQE-ja u dha hua me skadencë trevjeçare mbi 1000 miliardë euro banakave europiane (programi Ltro) me 1% interes, duke shmangur një kolaps likuiditeti por duke mos pasur asnjë garanci se ku këto para do shkonin. Nuk u desh shumë për të zbuluar se këto para shkuan për të financuar borxhet publike me përqindje interesi më të larta dhe me përfitime të mëdhaja për vetë bankat. Është sikur një institucion publik t’i japi hua një institucioni privat me X% dhe ky i fundit t’i drejtojë këto para përsëri te një institucion tjetër publik me X+N%. Ky përfitim N% mban erë parazitizmi.
Por nuk mjaftoi dhe sapo kriza financiare arriti kulmin këtë verë, mbrëmjen e 26 korrikut, nga Londra, Mario Draghi u shpreh se BQE-ja “do bëjë gjithçka që do jetë e nevojshme për të shpëtuar Euron. Dhe më besoni, do jetë e mjaftueshme”. Ishte një gjysmë kërcënimi dhe gjysmë premtim, por fjala e tij peshoi më tepër se ajo e Merkelit dhe e Sarkozy-së të marra bashkë.
Me pak krijimtari tipike italiane, me zotësinë e një bankieri të talentuar dhe me diplomacinë e fituar në rrugëtimin e gjatë nëpër tryezat më të rëndësishme të financës globale, Mario Draghi arriti të drejtojë timonin e varkës europiane që po fuste ujë nga të gjitha anët.
PhD – E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane – Verona
