“Banorët e munguar” të ‘Pallatit 176’

redaktor

Një e përditshme njofton mbi vënien në skenë këto ditë të një pjese gjermane, ‘Hamlet-Makina’, nën titullin: “Eva Alikaj e Alfred Bualoti, sërish bashkë pas ‘Pallatit 176’”. Për shumëkënd, memoria nuk ka ofruar asnjë skenë me Alikajn e Bualotin. Aq më pak tek ‘Pallati’ i famshëm, ku në krye qëndron Vani (i ndjeri Roland Trebicka), e padyshim Elsa (Eva Alikaj) me të tjerë, ku më afër saj është Fredi (Gëzim Rudi). Aq fort i janë imponuar publikut me rolet e tyre monumentale, saqë kanë lënë në hije të padukshmit, ata pas kuintave, ku ndër to është dhe Bualoti, regjisor i asaj komedie brilante që bëri histori, brenda historisë së vetë Teatrit Kombëtar. Por jo vetëm kaq, pasi në krah të tij si bashkëregjisor, ka qenë dhe Anton Qesari, që të dy të afirmuar më tepër si aktorë. Adelina Balashi ka qenë autore e pjesës, kjo po dihet. Por tek regjisorët, ka munguar potencimi i tyre në promovimin shumëvjeçar të kryeveprës në fjalë. Është tipikisht një lloj paradoksi që shoqëron gjithnjë një vepër ose një karrierë aristike. Përshembull, tek ‘Arturo Ui’, afirmimin më të madh, e ka patur regjisura e veprës, që mban firmën e Piro Manit; ndërsa në role, më shumë se Shkëlqim Basha që mbante kryesorin, atë të Arturos, famën më të madhe e pati Prokop Mima me rolin e Xhivolas. Për t`u kthyer tek ‘Pallati’, vërtet që Roland Trebicka aty e morri famën më të madhe, por kulmin e mjeshtërisë në aktrim dhe realizimin e një figure të veçantë karakteriale, e pati tek ‘Valsi i Titanikut’ me rolin e Xha Spirakes. Pra, është rasti për ta thënë se tek ‘Pallati 176’, meritojnë të përfshihen fort dhe dy emra tek fama e asaj vepre skenike: Regjisorët Alfred Bualoti dhe Anton Qesari.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *