Në ditën e shtatë të protestës së tyre, banorët e fshatit Rragam në komunën Gur i Zi paralajmërojnë përshkallëzim të protestave, deri në bllokimin e rrugës nacionale Mjedë-Vau Dejës. Dje ata i dërguan 2 kërkesa të prera qeverisë; rikthimin e energjisë, që prej 10 ditësh mungon në banesat e tyre, së bashku me kontratat e reja pa gjoba dhe kamat-vonesa, si dhe dëmshpërblimin për tokat e zëna nga ndërtimi i HEC-it të Vaut të Dejës. Banorët kërkojnë gjithashtu që deputetet e parlamentit shqiptar të ndryshojnë ligjin për energjinë elektrike. Banorët pretendojnë se prej vitit 1971, kur shteti u mori tokën për të ndërtuar hidrocentralin e tretë të kaskadës së Drinit, nuk janë dëmshpërblyer.
