Barazimi me Laçin i kushton Tiranës kreun

redaktor

Laçi frenon sërish Tiranën. Pas humbjes që u shkaktuan në fazën e parë kurbinasit i ndalën në një barazim 0-0 bardheblutë brenda në kryeqytet, dhe tashmë formacioni i Cungut mund të konsiderohet në kuptimin e plotë të fjalës, macja e zezë e Tiranës.

Rastin e parë për gol në këtë sfidë e pati Tirana në minutën e 4-t. Një harkim i Ndikumanës nga e majta e sulmit nuk u kontrollua siç duhet nga Vujadinovic, nga pasiguria e portierit malazez përfitoi Morina, por topi i goditur nga ky i fundit u largua mbi vijën fatale të portës nga njëri prej mbrojtësve miq.

Për të parë një tjetër tentativë drejt portës duhej pritur minuta e 27-të kur Gentian Muça pati në këmbët e tij shansin e artë, por goditja e futbollistit gjeti grushtet e Vujadinovic, ndërsa në vijimin e aksionit Curri u peshkua në pozicion jashtë loje edhe pse nuk arriti dot të shënonte.

Deri në fund të pjesës së parë rrjetat mbetën të paprekura pavarësisht ndonjë aksioni sporadik dhe pa shumë pretendime nga të dyja skuadrat.

Që Tirana nuk ishte e kënaqur me vetëm një pikë në këtë sfidë kjo u pa qartë në lëvizjen e trajnerit Magani i cili në startin e fraksionit të dytë hodhi në fushë sulmuesin Kagere, duke lënë në dhomat e zhveshjes kosovarin Argjend Malaj.

Tentativa e parë e bardhebluve në pjesën e dytë ishte pikërisht e Kageres që goditi me kokë në 58-ën por asnjë vështirësi për Vujadinovic.

5 minuta më pas Kërçiku gjeti shumë bukur me një krosim nga e djathta e sulmit Kageren por sulmuesi nga Ruanda nuk arriti të gjente dot katërkëndësishin e portës.

Sfida e “Qemal Stafës” vazhdoi me dominimin e skuadrës vendase por fati nuk ishte me Ervin Bulkun në minutën e 73-të.

Kapiteni i kryeqytetasve me një inkursion personal i shkoi shumë pranë golit por goditja e tij nga distanca përfundoi paksa mbi traversë.

Në minutën e 89-të provoi edhe Taku, por as mesfushori nuk e kishte saktësinë e duhur në finalizim. Në Qemal Stafa gjithçka u mbyll me shifrat e barabarta 0-0, rezultat ky që nuk e kënaqi aspak Tiranën, që humbi kështu një mundësi të mirë për të shfrytëzuar faktorin fushë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *