Atletiko Madrid është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pasi ka eliminuar me plot meritë Barcelonën, me një fitore prej 1-0. Atletiko e nisi takimin me një formacion jo të plotë që jemi mësuar ta shohim. Costa nuk luajti nga fillimi, teksa Simeone pa Turanin aplikoi një formacion prej 4-2-3-1. Barcelona vendosi të hyjë me ndryshime, ku Messi luajti në krahun e djathtë, e Fabregas në qendër si sulmues i fshehur. Starti ishte tmerrësisht i fuqishëm për Atletikon. Duket se Simeone pati një plan për të startuar sa më fuqishëm në këtë sfidë dhe këtë e realizoi me shumë sukses. Pas një ofensive të madhe ishte Adrian ai që goditi shtyllën e më pas nga topi i kthyer ishte Koke që gjeti hapësirë për të realizuar me gol të bukur për të ndezur stadiumin për 1-0. Ofensiva e madhe e Atletiko Madridit vazhdoi teksa i gjithë stadiumi ishte në këmbë duke shtyrë ekipin drejt golave tjerë. David Villa në minutën e 11-të bëri një goditje pas një pasimi të saktë, që përfundoi vetëm në shtyllë. I pafat Villa, të pafat Los Colchoneros. Messi u përgjigj shpejt pas kësaj shtylle. Futbollisti argjentinas me kokë për pak sa nuk arriti të shënonte për kjo nuk ishte asgjë. Në minutën e 19-të një tjetër mundësi për Villan. Ish-sulmuesi i Barcelonës e gjeti veten në zonë kur dha një goditje të fuqishme nga afërsia, e cila përfundoi vetëm në transversalen e portierit Pinto. Në këmbë i gjithë stadiumi, e Barça me shpinë për muri. Kjo edhe nxiti reagimin e Barcelonës që filloi disi të kontrollonte lojën dhe pas një depërtimi fantastik nga Neymar, ishte Messi ai që nga afërsia nuk shenjëstroi dot portën.
Pjesa e dytë
Në pjesën e dytë e filloi më mirë Barcelona, duke rrezikuar, por vetëm lehtësisht. Dani Alves ishte pranë golit pas një ore lojë, por më pas kontrolloi plotësisht lojën Atletiko Madridi. Diego pati një mundësi shumë të mirë pas një aksioni të mirë në minutën e 65-të, teksa në minutën e 71-të ishte Gabi që humbi mundësinë jetësore për të siguruar kualifikimin kur dështoi përballë portierit Pinto. Një rast të mirë humbi Cristian Rodriguez kur Pinto ndali mundësinë e artë për ekipin e tij. Deri në fund Barcelona s’pati asnjë shans për të shënuar gol, teksa kjo bëhet ndeshja e gjashtë që Lionel Messi mbetet pa gol ndaj Atletiko Madridit dhe është ndeshja e katërt radhazi që Barcelona s’mund ta mposhtë Atletikon. Atletiko Madridi me plot meritë kualifikohet në gjysmëfinale, duke treguar kapacitete, shpirt ekipor, shpirt luftarak dhe tifozeri e një strategji të mrekullueshme të një tekniku të jashtëzakonshëm siç është Diego Simeone, e që po bën çudinë me Atletikon në këtë garë, por do ta bëjë ndoshta edhe në La Liga.
