Barcelona, 7 herë finaliste, 4 trofe

Dita

Barcelona e ka gdhendur emrin e saj në trofeun e UEFA Champions League 2 herë më shumë se Juventusi, pasi në dekadën e fundit ka arritur të shpallet mbretëreshë kontinent plot tre herë. Finalja e parë për Barcelonën daton në vitin 1961 përballë portugezëve të Benficas të cilët arritën të triumfonin 3-2. Kjo ishte finalja e parë pas 5 sezoneve ku kishte dominuar Reali i Madridit, por katalanasit nuk arritën të triumfonin kjo edhe falë kundërshtarëve portugezë që në ato vite ishin një nga superfuqitë e kontinentit.

Një tjetër finale Barcelona e humbi në vitin 1986 përballë Steauas së Bukureshtit në stadiumin e Sevillas. Pas 120 minutave lojë të dyja skuadrat nuk arritën të gjenin rrugën e golit dhe nga pika e bardhë e 11 metërshit ballkanasit u treguan më të saktë duke e lënë sërish bosh raftin e trofeve të Ligës së Kampionëve për gjigandët katalanas.

6 vite më pas erdhi edhe finalja e duhur për Barcelonën që kaloi 1-0 në Wembley italianët e Sampdorias. Goli i Ronald Koeman shkroi historinë për skuadrën katalanase që rreth 30 vjet pas finales së parë arriti të dilte fitimtare në këtë kompeticion.

2 vjet më pas, arena e stadiumit të Athinës u kthye në një skenë tragjike për djemtë e Johan Cruyff që u shkatërruan 4-0 nga Milani, edhe pse për këtë finale ata ishin favoritët e mëdhenj me një brez të artë lojtarësh si Zubizarreta, Koeman, Stoichkov e Romario. Golat e finales u realizuan nga Daniele Massaro, Savicevic e Desally, të cilët i dhanë një leksion të vërtetë futbolli një prej skuadrave më të mira të historisë.

Në tre finalet e radhës, Barcelona nxori në pah gjithë madhështinë e një klubi të madh. Në 2006-ën, Eto dhe Belletti zhvlerësuan avantazhin e përkohshëm të Arsenalit me Campbell, duke hipotekuar titullin e dytë të UEFA Champions League.

3 vjet më vonë ishte radha e Manchester United për të marrë një leksion nga jashtëtokësorët katalanas, që këtë herë kishin në armatën e tyre një gjeni si Lionel Messi. Argjentinasi shënoi golin e dytë të finales së Romës ku më parë kishte realizuar edhe i përhershmi Samuel Eto. 2-0 dhe trofeu i tretë për Barcelonën.

Në finalen e vitit 2011 u përsërit e njëjta histori me ndryshimin e vetëm se 90 minutëshi u luajt në Londër ku blaugranat dominuan “Djajtë e Kuq” 3-1 për të siguruar kupën e katërt të kampioneve. Dy dekada suksesi për një klub që periudhën e shkëlqimit europian e ka arritur gjatë epokës kur trofeu u quajt UEFA Champions League. Barcelona është kalorësja e epokës moderne të futbollit europian.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *