Barcelona e nis pa portierin titullar

anazapta

 Barcelona do ta nisë sezonin e ri me portierin e dytë në portë Klaudio Bravo. Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi. Portieri titullar Ter Shtegen nuk do të riaftësohet deri me fillimin e kampionatit dhe kjo do të bëjë që trajneri Luis Enrike t’ia besojë katërkëndëshin portierit të ardhur gjatë merkatos së verës, Klaudio Bravo. Portieri i kombëtares së Kilit u transferua para pak javësh në Barcelonë dhe që në ndeshjen e tij të parë me katalanasit bëri një figurë të shëmtuar në ndeshjen kundër Napolit. E megjithatë ai do të jetë titullar. Nënkampionët e Spanjës kanë bërë me dije se portieri titullar Mark Andre Ter Shtegen do të qëndrojë jashtë fushave edhe për të paktën tri javë që e bën të pamundur praninë e tij në fushë në takimin e parë të sezonit të ri. Portieri gjerman edhe ai një përforcim i klubit gjatë verës vijon të vuajë nga një dëmtim në vertebër – ka pak a shumë një problem të ngjashëm me sulmuesin brazilian Nejmar – si pasojë e një dëmtimi të pësuar javën e kaluar. Ish-portieri i Mënçengladbahut u dëmtua pasi mori një goditje nga shoku i ekipit Aleks Song dhe tashmë duhet të qëndrojë dhe pak ditë pushim absolut përpara se të nisë përsëri me përgatitjet.

Vermalen – Portieri Ter Shtegen nuk është i vetmi që do t’i mungojë Barcelonës në fillimin  e sezonit të ri. Katalanasit do të bëjnë edhe pa shërbimet e mbrojtësit belg Tomas Vermalen, i cili ka ardhur i dëmtuar nga Arsenali.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *