Merkato e verës ka qenë një dështim për Barcelona-n, që nuk ka arritur të marrë Philippe Coutinho, objektivi kryesor i katalanasve pas largimit të Neymar për te Paris SG.
Barça, gjithsesi, arriti të përforcohej me Nelson Semedo dhe Ousmane Dembele, me këtë të fundit që ka zbarkuar në “Camp Nou” për 105 milionë euro, por që do të qëndrojë larg fushave për një kohë të gjatë pas një dëmtimi të pësuar në ndeshjen e tij të dytë me katalanasit.
Pavarësisht fillimit të mirë të bërë nga skuadra e Ernesto Valverde në La Liga, ku ata kanë marrë 21 pikë nga shtatë ndeshjet e para, me një avantazh prej gjashtë pikësh nga Sevilla e vendit të dytë, Barça do të kërkojë ta rifreskojë skuadrën në merkaton e janarit.
Por, në mënyrë që ta bëjë një gjë të tillë, do të jetë e nevojshme që të shiten disa lojtarë. Sipas “Super Deportes”, Andre Gomes, Rafinha dhe Paco Alcacer janë tre emrat e përzgjedhur për t’u larguar në janar.
Gomes, i marrë nga Valencia për 35 milionë euro një vit më parë, nuk ka luajtur në nivelet që pritej dhe është përfolur për një transferim te Tottenham verën e kaluar.
Edhe Paco Alcacer, gjithashtu i blerë nga Valencia, ka qenë në vështirësi me katalanasit dhe flitet se mund të transferohet në Itali.
Për sa i takon Rafinha-s, e ardhmja e mesfushorit brazilian mund të jetë tek Arsenal ose Liverpool, por edhe Juventus është interesuar për të në të kaluarën.
