Rrëzimi i një skuadre që përfaqëson “më tepër se një klub” në një mbrëmje si ajo në “Allianz Arena” nuk mund të kalohet lehtë në Spanjë. Barcelona e konsideruar nga shumë si ekipi më i mirë i të gjitha kohërave i kishte dhënë prej kohësh shenjat e një skuadre anemike, pa shpirt dhe mbi të gjitha e pafuqishme për të vrapuar në fushë. Kjo situatë nuk mbetet jashtë analizës së medias madrilene, e cilat me siguri fërkon duart dhe paralajmëron rrëzimin e kështjellës katalanase. Në këtë linjë, e përditshmja “Marca” nuk kursehet në kritika, madje shkon deri aty sa hedh pyetjen nëse është ky fundi i një epoke të artë për Barcelonën. Për rreth 20 vjet Barcelona nuk kishte pësuar një disfatë të tillë. Më 1997 u mund me këto shifra në shtëpi nga Dinamo e Kievit, në fazën e grupeve, por humbja më e rëndë për nga rëndësia ishte edhe më herë, më 18 maj 1994. “Dream Team” e ndërtuar nga holandezi Johan Krujf u mund 4-0 nga Milani i Fabio Kapelos në finalen e Athinës, ndonëse kuqezinjve u mungonte i gjithë reparti i mbrojtjes, përfshirë edhe Franko Barezin. Barcelona ishte superfavorite, fitorja nuk diskutohej, por ajo disfatë rrëzoi si një kështjellë rëre ekipin e pamposhtur të Krujfit. Rreth dy dekada më pas, Barcelona e Tito Vilanovës pëson të njëjtin fat, por këtë herë, nuk bëhet fjalë për rrëzimin e një skuadre ëndrrash por për rrokullisjen drejt humnerës se ekipit “Pep Team”. Trajneri katalanas e transformoi klubin në një kundërshtar të frikshëm për këdo, saqë edhe thjesht emri Barça i kallte të dridhurat kujtdo që zbriste në fushë përballë 11 jashtëtokësorëve. Ndaj humbja në Munih nuk është një humbje e thjeshtë e që mund të sjellë eliminimin në gjysmëfinale. Shifrat përballë Bajernit, shoqëruar me dominimin në fushë, kanë sjellë rënien e një miti. I ka mbetur diçka më pak se një javë për të dhënë përgjigjen e pyetjes, me 90 minutat e kthimit në “Camp Nou”.

Barcelona nuk bie, Barcelona ringrihet perseri se ka nje prapavije te forte edhe Reali ringrihet se gjithashtu ka nje prapavije te forte, se ne kemi nevoje per keto ekipe, vertet humbin nje beteje ndoshta edhe te dyten, por perseri jane ekipe qe na mbajne ne ethe, se jane ekipe te medha.