“Po s’erdhi ai në stadium, do mbetet një vend bosh më tepër”. Presidenti siguron edhe për rinovimin me Iniestën
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka bërë ironi me Johan Krujf, i cili pak ditë më parë u shpreh se nuk do të shkelte në “Camp Nou” për sa kohë që Rosell do të ishte në krye të klubit. 49-vjeçari zbuloi se përplasjet e tij me holandezin kanë nisur që kur ai ishte zëvendëspresident. “Marrëdhëniet tona u krisën kur isha zëvendëspresident dhe ai propozoi të blinim treshen Aimar-Albelda- Ajala, ndërsa ne nisëm bisedimet me Ronaldinjon, Dekon, Edmilsonin dhe Markez”, tha Rosell, duke shtuar më pas me ironi: “Nuk vjen më në stadium? Do mbetet një vend më shumë bosh”. Presidenti foli edhe për temën e rinovimit të Andres Iniestës, duke thënë se ai do ta mbyllë karrierën te Barcelona. “Mund të vë bast për këtë. Ne mendojmë se ai duhet të renditet menjëherë pas Lionel Mesit në hierarkinë e pagave”. Forma e jashtëzakonshme që po shfaq Viktor Valdez në këtë sezon e ka nxitur Roselli që t’i kërkojë rinovimin portierit 31-vjeçar, i cili është shprehur në mënyrë të vazhdueshme që do t’i jap fund karrierës me katalanasit në përfundim të sezonit. “Ne do të tentojmë deri në momentin e fundit që ta bindim për të qëndruar, por e kemi të qartë se nuk do të jetë e lehtë”. Në fund, Rosell foli edhe për dy trajnerët e fundit, Vilanova e Guardiola, duke siguruar se ruan marrëdhënie të mira me të dy, edhe pse ka mbetur i zhgënjyer nga fjalët e trajnerit aktual të Bajernit.
