Barishtet, thesari që rritet në Shqipëri, ose bimësia që sjell miliona

redaktor

Pak ditë më parë, u njoftua përmes Ministrisë së Bujqësisë se Malësia e Madhe është rrethi kryesor në Shqipëri për prodhimin dhe eksportin e bimëve aromatike dhe mjekësore, të cilat tregtohen kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë vitit të kaluar, për shkak të prodhimit të madh, një sasi e këtyre bimëve ka mbetur pa u eksportuar, por kompanitë e grumbullimit dhe përpunimit pohojnë se, është i garantuar eksporti i tyre. Ndërkohë, ata theksojnë nevojën e ruajtjes së cilësisë, përmes kultivuesve të traditës vendase.

Efektet kuruese

Vendi ynë ka 850 lloje bimësh mjekësore, ku më të njohurat janë ato që përdoren në formë çaji për të lehtësuar disa nga dhimbjet që ndiejmë në trup. Nuk ka asnjë familje shqiptare që të mos përdorë çajin e malit dhe rigonin, të cilat janë dy bimë që kanë efekt kurativ për ftohjen, por edhe për organet e brendshme. Përveç këtyre dy bimëve ka mjaft të tjera, të cilat kanë efekt kurativ, por që nuk përdoren më në familjet shqiptare. Efekti kurues dhe mospasja e efekteve anësore bën që specialistët e shëndetësisë dhe të mjekësisë alternative të kërkojnë rikthimin e vlerave të dikurshme për përdorimin në familje të bimëve mjekësore.

Fatkeqësisht, metodat klasike të shërimit të disa tipeve të sëmundjeve jo gjithnjë janë të suksesshme. Në situata të tilla njerëzit shpesh kërkojnë ndihmë te mjekësia alternative. Termi “mjekësi alternative” nënkupton disa mënyra të shërimit në të cilat nuk përdoren ilaçet e prodhuara nga industria, por as instrumentet kirurgjikale. Shumë mjekësi alternative sot janë pranuar nga mjekët të cilët merren me mjekësinë klasike, prandaj ajo në shumë shtete shpesh aplikohet edhe në shërim spitalor. Ne kemi fatin të kemi një vend të pasur me bimë mjekësore, por nga ana tjetër kemi fatin e keq, që nuk kemi ende një fabrikë të përpunimit të këtyre bimëve.

Kultivimi

Në Shqipëri këto bimë mblidhen në gjendje të egër, të rritura në natyrë dhe të mbledhura në male apo fusha. Ne nuk kemi kulturë të mbjelljes dhe kultivimit të tyre për shkak se nuk kemi fabrika të përpunimit dhe kthimit të tyre në tableta. Prandaj, ato mblidhen nga fshatarët, të cilët mundohen të nxjerrin bukën e gojës me mbledhjen e bimëve. Vitet e fundit është vënë re se, interesi për tregtimin e tyre është i lartë. Vendet e huaja i duan shumë bimët tona. “Bimët mjekësore janë tepër të çmuara për shëndetin, pasi nuk japin efekte anësore”, na thotë Presidenti i Shoqatës së Mjekësisë Alternative, Hysni Dankshi, i cili shprehet se këto duhen përpunuar në mënyrë që të kemi sa më shumë medikamente bimore. Për këtë, ai ka bërë kërkesë për bërjen e investimeve dhe ngritjen e fabrikave, që të bëhet përpunimi, por asnjëherë shteti nuk e ka marrë seriozisht këtë punë. Ne kemi bërë një bisedë me Dr.Dankshin për të kuptuar më shumë për bimët çudibërëse në vendin tonë dhe efektet kurative që ato kanë në shërimin e shumë sëmundjeve.

Dr. Hysniu, thuhet se Shqipëria është një thesar i bimëve medicinale, është e vërtet kjo?

Hysni Dankshi
Hysni Dankshi

Sigurisht. Natyra e vendit tonë shquhet për larminë e bimëve medicinale. Në vendin tonë janë rreth 850 lloje të ndryshme bimësh medicinale, të përhapura në të gjitha zonat e vendit, të cilat përdoren si ilaçe kuruese që ne i eksportojmë në Holandë, Gjermani etj. Ata krenohen me ilaçet shqiptare, të cilat i marrin dhe i përpunojnë për medikamente bimore. Kemi një terren të përshtatshëm ku prodhohen bimë cilësore. Vendet e huaja kanë xhelozi për bimët tona.

A kemi ne fabrikë ku prodhohen ilaçe bimore?

Jo, kjo është një mangësi e jona. Ne nuk kemi një industri farmaceutike bimore, që të bëjë për përpunimin e ilaçeve. Unë si President i Shoqatës Farmaceutike Bimore kam ngritur një kërkesë pranë organeve përkatëse për prodhimin e këtyre bimëve mjekësore t’i kthejmë në ilaçe. Por, akoma shteti ynë nuk e ka marrë këtë hap, kur të gjitha vendet e Ballkanit kanë fabrika për përpunimin e ilaçeve bimore. Në vendin tonë nuk ka asnjë fabrikë, vetëm magazina që grumbullohen bimët dhe eksportohen jashtë vendit. Fabrikë quhet kur merren bimët dhe përpunohen në tableta, shurupra, çajra. Unë kam biseduar me presidentin e mjekësisë alternative të Tunizisë, Hungarisë dhe unë e kam ngritur si problem për të ardhur për të investuar në Shqipëri. Kostoja del edhe më ulët kur këto përpunohen këtu.

Doktor, ju keni vite që merreni me këtë punë dhe e njihni terrenin shqiptar dhe zonat ku prodhohen këto bimë. Na tregoni bimët me efekte më magjike në fushën e mjekësisë alternative?

Shqipëria është shumë e pasur me bimë. Në shumë zona të veriut dhe të jugut rriten bimë të çmueshme dhe ideale për shërimin e shumë sëmundjeve, pasi çdo bimë shëron një sëmundje dhe çdo sëmundje shërohet nga një bimë. Dua të përmend sherebelën, undërmushkën, luleshtogun, luleblirin, boronica e kuqe, boronica e zezë, që rriten në Malësi të Madhe, në Kukës, Tropojë dhe tek Liqenet e Lurës. Varet shumë edhe ku e mbledh bimën. Varet nga terreni ku ajo rritet. Sa më e pastër të jetë toka dhe ajri ku ajo rritet, aq më e mirë është. Të marrësh një bimë në liqenet e Lurës, ajo është një mrekulli.

Ka disa bimë që humbasin me kalimin e kohës dhe ne duhet t’i ruajmë. Ka bimë të buta dhe të egra; bimët që rriten vetë në mal dhe bimët që kultivohen në fusha. Ne nuk kemi kultivim. Kam dëgjuar që kohët e fundit ka ardhur një kompani e huaj austriake dhe po kultivon një bimë të çmueshme në zonën e Korçës që përdoret për vajrat eterikë, të cilat kurojnë problemet me kancerin, për diabetin etj. Aty është gjetur klima e përshtatshme dhe kultivohet dhe korret 3 herë në vit.

Duke pasur parasysh mjekësinë alternative dhe mjekësinë shkencore, përdorimi i këtyre medikamenteve bimore a jep të njëjtat efekte me ato të prodhuara nga mjekësia shkencore?

Po ato e zëvendësojnë njëra-tjetrën sepse natyra me bimësinë e saj, ka qenë mjeku i parë për njerëzimin. Pra, miliona vite më parë ata kanë përdorur kurat bimore për të gjitha dhimbjet apo plagët, kurse tani industri të mëdha në botë si në Kinë, Amerikë, Gjermani, Kanada, Holandë etj, harxhojnë miliona dollarë për prodhimin e ilaçeve bimore.

Ka patur gjithmonë një lloj skepticizmi, a duhet t’i besojmë mjekësisë alternative?

Njerëzit janë ndërgjegjësuar, gjithmonë e më shumë, po kërkohen produktet bimore pa efektet anësore. Që t’i besosh mjekësisë alternative sot, prova bëhet tek pacienti i cili nëse ndihet mirë me ilaçe bimore, atëherë nuk ka vend për probleme. Kjo është e testuar, sepse siç thamë me bimë janë kuruar edhe miliona vjet më parë. Edhe sot e kësaj dite njerëzit kanë përdorur pomadë bimore, me të cilën kanë nxjerrë plumbin ndërkohë që mjekësia shkencore përdor bisturinë.

Dr. Dankshi, një nga sëmundjet që po u merr jetën shqiptarëve është zemra. A ka ndonjë bimë me efekte kuruese për të?

Njerëzit vuajnë nga zemra sepse stresi po e gozhdon gjithë botën. Stresi po shkakton diabetin, zemrën, sëmundjen mendore, kur je i stresuar gjithçka në trupin tënd nuk shkon mirë. Unë kam përgatitur një ilaç me shtatë lloje bimësh që janë për zemrën, i kam futur në alkolaturë dhe kam nxjerr një ilaç ideal dhe shumë të mirë. Pihet me pika. Është për tensionin, zemrën, stresin, ankthin dhe pagjumësinë. Këto janë edhe sëmundjet më të shpeshta që kanë prekur popullatën tonë.

*****

Rritet në 11.600 ton eksporti i bimëve medicinave

Bimësia që sjell miliona

Eksportet e bimëve medicinale kanë shënuar rritje të konsiderueshme gjatë vitit 2014 krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave nga dikasteri i Bujqësisë, ecuria pozitive e këtij sektori vazhdon të konfirmojë trendin e suksesit në këtë biznes duke i vënë eksportet e bimëve medicinale në krye të eksporteve bujqësore. Kështu për periudhën janar-dhjetor 2014, eksporti i bimëve aromatiko-mjekësore ka arritur në rreth 11.600 ton nga 11.200 ton që ishin në vitin 2013, me vlerë respektivisht 3.5 miliardë lekë nga 3.3 miliardë në 2013. Eksportet e këtij biznesi shkojnë kryesisht në tregjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendet e Evropës etj. Kultivuesit kryesorë të bimëve medicinale janë në Qarkun e Shkodrës, ku janë të punësuar edhe një numër i lartë banorësh që merren me prodhimin, grumbullimin, tharjen e përpunimin e tyre. Kjo industri prej vitesh ka ecur me hapa pozitivë, duke luajtur edhe një rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit.

Share This Article
3 Comments
  • Duhet investuar me guxim si per kultivimin ashtu dhe per perpunimin. Shqiperia eshte nje nder vendet mesedhetare me veçori dalluese pozitive per klimen, token, konfiguracionin e disponibiitetin e terrenit, shumellojshmerine e bimeve medicinale, pervojen e njerezve ne njohjen e perdorimin e tyre etj. Jemi shume te vonuar, nderkohe qe eshte nje burim mjaft i mire te ardhurash dhe punesimi. Jo vetem t’a mbledhim ne natyre ne menyre spontane, por eshte me efektive dhe me racionale t’a kultivojme dhe magazinojme ne kritere teknike, ne ambjente te pershtateshme, dhe ta perpunojme ne vend. Eshte dhe nje pune mjafte terheqese e interesante, perveçese fitimprurese, Lavandola, sherebela, rigoni, çaji i malit, boronica, dafina, timo e me dhjetra bime te tjera te vendit tone jane me permbajtje te larte vajrash eterike, mjafte te kerkuara nga vendet e tjera, te cilat kane disa dhjetra vjeçare qe terheqin bimet tona medicinale dhe i perpunojne per qellime mjekesore. Pse te mos e bejme vet kete pune, nderkohe qe dhe pervoja e kultivimit dhe magazinimit nuk mungon: Kopliku i Siperm dhe Fushe Kruja, nen drejtimin teknik dhe shkencor te talentuar te Kico Cekut, kane qene prej kohesh dallandyshet e para te ketij aktiviteti kaq te dobishem, i zhvilluar fillimisht ne tokat gurishtore ku eshte veshtire te realizosh te ardhura te arsueshme.

  • Qe ne vitet ’70 te shekullit te kaluar Shqiperia ka pasur nje institut te mjekesise popullore. Ka pasur po ashtu nje ndermarrje te prodhimit te bimeve eterovajore qe ndodhej prane ish-stacionit te trenit dhe prane ndermarrjes se dikurshme te luleve. Po ne ato vite studiuesit shqiptare botuan dy libra te çmuar enciklopedike: “Bimet mjekesore ne shkolle” dhe “Shendet mbrohet edhe me bime”. Dhe mos te harrojme se behet fjale per 40 vite me pare. Ndersa sot “shkencen” e kane marre ne dore trafikantet qe po prodhojne bime te tilla te mrekullueshme si hashashi. Kjo eshte trajektorja e perparimit shqiptar gjate ketyre 25 vjeteve baterdi dhe rrumpalle.

  • Aq shume po e mbledhin kete thesar sa nuk po lihet me l’île e barishte as per riprodhim!
    Shkateroni,shkateroni sa te mundeni,se neser s’do jeni asgje!

  • Une jetoj ne Austri dhe do me interesonte te sjell cajra nga shqiperia dhe ti shes ketu. A mund te me tregoni si duhet te veproj?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *