Denoncimi i Urdhrit të Farmacistëve: barnave u falsifikohen datat e skadencës, origjina, abuzohet me çmimet, si dhe tregtohen nga persona të pakualifikuar.
Pranvera Kola
Abuzimet me barnat nuk kanë të ndalur. Tregu farmaceutik në vendin tonë po përballet me probleme të shumta për shkak të mungesës së barnave në sistemin spitalor, si dhe keqmenaxhimit të barnave që hyjnë në vendin tonë. Duke bërë bilancin e problemeve të shfaqura në tregun farmaceutik për 2012-n, kreu i Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari, vë në dukje se janë ende të shumta barnat që hyjnë lirisht në vendin tonë, teksa nuk dihet çfarë cilësie kanë. Madje, një pjesë e mirë e tyre hyjnë kontrabandë me anë të çantave duke u shpëtuar edhe kontrolleve të cilësisë.
Datat e skandencës
Duke iu referuar shkeljeve të konstatuara, Jaupllari bën të ditur se në shumë raste barnave u falsifikohen datat e skadencës, origjina dhe abuzohet me çmimet e shitjes. Jaupllari shkon më tej duke akuzuar se ka shumë raste kur ilaçet hyjnë me çanta nëpër dogana, duke dalë jashtë çdo kontrolli. Situata këto që mund të shkaktojnë probleme të rënda në shëndetin e popullatës që i konsumon.
Të gjitha këto probleme, sipas Jaupllarit, vijnë si pasojë e mungesës së informatizimit të sistemit farmaceutik. Mungesa e këtij informatizimi sjell abuzime pafund, pasi nuk shpallet në asnjë vend se cila është rruga e qarkullimit të medikamenteve që përfundojnë në Shqipëri. Në fillim të këtij viti u fol për një sistem farmaceutik të informatizuar, por sipas Kreut të Urdhrit të Farmacistit, ende nuk mund të gjesh të dhëna të sakta për rrugën e qarkullimit të barnave dhe furnizimin e spitaleve me to.
Ndërkohë që gjatë muajve të fundit nuk po publikohen më as në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë apo Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, medikamentet e reja të regjistruara gjatë tre muajve të fundit.
Çmimet abuzive
Më tej, Jaupllari shton se një tjetër faktor shqetësues në tregun tonë farmaceutik është edhe çmimi i barnave, i cili tejkalon të gjitha kriteret e duhura. Kjo, pasi shitja e barnave tek ne bëhet kundrejt çmimeve shumë të larta krahasuar me ato të aplikuara në vendet e rajonit apo Bashkimit Evropian nga ku mund të kenë origjinën. Sipas Jaupllarit këtë vit ilaçet e domosdoshme qytetarët i kanë blerë me kokrra dhe jo me paketa të plota.
Mungesat në spitale
Gjatë përmbledhjes vjetore mbi aktivitetin farmaceutik në vend, Jaupllari denoncon dhe keqmenaxhimin dhe korrupsionin nëpër spitale. Sipas tij, ky fundvit i gjen pjesën më të madhe të spitaleve shqiptare pa barna, materiale mjekimi dhe reagentë për kryerjen e analizave. Për të mos vënë në rrezik shëndetin pacientët janë të detyruar që në çdo rast tu drejtohen farmacive private të cilat kanë mbirë si kërpudhat pranë spitaleve. Gjithashtu një tjetër pikë që duhet ndryshuar është edhe shpërndarja e rrjetit të farmacive. Pavarësisht kritereve të përcaktuara në ligj, çdo ditë e më tepër shtohen rrjetet e farmacive rreth spitaleve duke lënë pa shërbim zona të tëra në periferi apo rrethet e largëta të vendit.
Jaupllari bën të ditur se, nëse nuk do të ndërhyhet në përmirësimin e këtyre treguesve, sistemi ynë farmaceutik do të zhytet më thellë në kaos.
Mungesa e kontrolleve të vazhduara tek subjektet e palicencuara dhe rritja e konkurrencës së pandershme, e vështirësojnë edhe më shumë situatën në farmacitë e rrjetit të hapur. Shqetësuese në këtë sistem mbetet edhe mungesa e farmacistëve të profesionalizuar. Kundrejt këtij kriteri, Jaupllari shton se në jo në pak raste janë evidentuar punonjës që e ushtrojnë këtë profesion pa pasur njohuritë e nevojshme dhe kualifikimin e duhur.
E gjithë kjo situatë, sipas urdhrit e farmacistëve, vjen për shkak edhe të kontrolleve rutinë që i bëhet këtij sektori dhe që nuk përqendrohen tek dëmet që mund t’i vijnë pacientit si pasojë e këtij kaosi që mbizotëron në treg. Jaupllari shton se i takon strukturave përgjegjëse, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrës së Kontrollit të Barnave të zbatojnë detyrat e tyre me qëllim që shërbimi farmaceutik të jetë sipas standardeve.
Arjan Jaupllari
“U mbyll edhe ky vit, por sistemin farmaceutik e gjen me farmaci që mbijnë çdo ditë si kërpudha afër qendrave shëndetësore e spitalore, duke lënë pa shërbim zona të tëra urbane dhe rurale në mjerim farmaceutik. Farmaci pa licencë, sistem shpërndarje kaotik, me sistem farmaceutik të painformatizuar, pacientë edhe më të varfër, spitale pa barna, pa materiale mjekimi, me çmime më të larta se një vit më parë edhe për barnat më të domosdoshme për të sëmurët, e gjen profesionin e farmacistit të zhvlerësuar, pasi duke e blerë diplomën edhe pa vajtur asnjë ditë në universitet mund ta ushtrojë atë kushdo.
Kemi farmacistë që punojnë nga mëngjesi deri në darkë edhe më të frikësuar nga konkurrenca profesionale. Për të shmangur këtë kaos, duke bërë një reformim total të sistemit, kryesorja është vendosja e kritereve të qarta ligjore në ushtrimin e profesionit, hapjen e farmacive të reja dhe depove, kontrollin e barnave që vijnë në vend si dhe kritereve për recetat e barnave që duhet të lëshojnë”, bën të ditur Jaupllari.