President i Komisionit Europian, José Manuel Barroso, i ka dërguar një mesazh Presidentit Bujar Nishani ku e falenderon për bashkëpunimin dhe mbështetjen e Shqipërisë ndër vite.
“Në ditët e fundit të mandatit tim dhjetëvjeçar si President i Komisionit Evropian, dëshiroj t’ju falënderoj për bashkëpunimin tuaj të dobishëm përgjatë kësaj periudhe intensive, por edhe shumë shpërblyese gjithashtu.Kur hyra në zyrat qendrore të Komisionit Evropian në nëntor të vitit 2004, natyrisht që isha i ndërgjegjshëm se sa kërkuese do të ishte puna, por nuk mund ta kisha parashikuar kurrë se çfarë na priste në të ardhmen”.
Në vijim të mesazhit të tij, Barroso nënvizon se Unioni ka kaluar jo pak sfida gjatë 10 vjeçarit të fundit, me theks të veçantë krizën ekonomike.Por pavarësisht kësaj, ish-Presidenti i KE thekson se BE ia ka dalë jo vetëm të mbajë të bashkuar Europën por dhe ta zgjerojë me anëtarë të rinj.
Nga nëntori, Hoze Manuel Barroso do të zëvendësohet nga ish-kryeministri i Luksemburgut, Jean -Claud Juncker.
