Presidenti i ri i Barcelonës, Josep Bartomeu, ka dalë para medias duke garantuar se klubi do të vazhdojë të njëjtin projekt të nisur më 2010. Ai mori drejtimin e klubit katalanas pas dorëheqjes së Sandro Rosell, pas skandalit me pagesën për brazilianin Neimar. Kjo çështje zuri edhe vendin kryesor në konferencën për shtyp, e para e Bartomeut si president. “Do të vazhdojmë të njëjtin projekt që ka nisur që prej vitit 2010. Mirënjohje për Rosell, për punën që ka bërë dhe ndihem i nderuar që jam miku i tij”, tha presidenti i ri. “Dorëheqja dëshmoi edhe njëherë sinqeritetin tonë si klub. Nuk kemi gënjyer për çmimin e blerjes së Neimarit. Ndeshjet e futbollit fitohen në fushë dhe jo në zyra. Kemi humbur Di Stefanon në të kaluarën, por nuk mund ta humbnim edhe Neimar. Për sa i përket shifrave për blerjen e brazilianit, e gjithë kostoja e transferimit është 57.1 milionë euro, ndërsa 56.7 milionë është detyrimi i klubit për pagat e tij për pesë vjet”. Në mesazhin e tij, Bartomeu shfrytëzoi rastin për të lëshuar edhe shigjeta që indirekt shkojnë në adresë të Real Madridit: “Disave nuk u ka pëlqyer fakti që ky lojtar preferoi të vijë këtu, duke refuzuar të tjerët që ofruan më shumë pará”. Emërimi i Bartomeut si president i Barçës u shoqërua edhe me një emërim tjetër, atë të zëvendëspresidentit sportiv. Zgjedhja nga blaugranat është Jordi Mestre, i cili deri tani ishte përgjegjës për ekipin B. Megjithatë, jeta nuk do të jetë e lehtë për presidentin e ri. Ortaku që çoi Rosellin në gjykatë e ka përfshirë në çështje edhe presidentin e ri, si dhe zëvendëspresidentin ekonomik, Faus, menjëherë pas marrjes së detyrës nga Bartomeu.