Basha-Berisha dhe Merkel-Kohl

editor

Muaji shtator solli një parlament të ri, një qeveri të re dhe një opozitë të re. Partia Demokratike si forca kryesore e saj, zgjodhi edhe kryetarin e ri z. Basha, kurse ish kryetari e ish kryeministri i z. Berisha u ul në parlament si deputet i thjeshtë. Mund të thuhet se kjo është edhe risia e jetës parlamentare dhe politike në këto momente.

Vertet jetës së vendit i nevojitet si një qeveri me ide të reja, me frymë të re, por po ashtu edhe një Parti Demokratike efektive që në udhëheqje të opozitës ta kritikojë e “t’i shkulë veshin” qeverisë për të mirën e vendit.

Z. Basha, që prej 2011 kryetar i bashkisë së Tiranës – për herë të parë në këtë post -, duket se është futur tani në një ritëm të themi normal të punës në këtë detyrë, ( megjithë kritikat që nuk mungojnë), ndersa kur ai do të hyjë dhe a do të hyjë dot në funksionin normal të kryetarit të Partisë Demokratike, mbetet per tu pare.

Lulzim Basha, një prurje e re e Partisë Demoktratike në vitin 2004, u paraqit si nje  fytyrë e re qytetare e karizmatike, e shkolluar jashtë shtetit. Ai u zgjodh deputet në vitin 2005 dhe në vitin 2009 e mbajti poste të rëndësishme ministrash në kabinetet e qeverisë Berisha deri sa u zgjodh kryetar i bashkisë së Tiranës në vitin 2011. Duke abstraguar prej akuzave që i janë bërë për lidhjet miqësore me vajzën e kryeministrit dhe akuzave si ministër shihet se është një karrierë me të vërtetë e suksesshme.

Ndërsa z. Berisha, me vlerat dhe antivlerat e veta, duam apo s´duam ne ka hyrë në historinë e këtij vendi e nuk është e nevojshme që ta kritikoj, akuzoj apo shaj, sepse i është bërë tashmë “lëkura shollë” nga këto gjëra sa edhe “gozhda nuk ngulet dot”. Fakt eshte se kryeministri Rama deklaroi në parlament që prej “gojës së tij nuk do të dëgjojmë kurrë sharje apo fyerje personale ndaj kundërshtarëve politikë apo për familjen dhe të afërmit e tyre në debatet politike”, duke u hedhur dorashkën e etikës në politikë kundërshtarëve të vet; duke na lene te presim si do zhvillohen ngjarjet.

Parakushtet duket se janë të mira. Lulzim Basha ka pasqyruar në këto ditë të para si kryetar partie se tek ai mbizotëron në përgjithësi një frymë tjetër. Fjalimet e tij në grupin parlamentar dhe kritikat nëpërmjet mediave kanë nota më racionale sesa ato të paraardhësit të tij. Megjithese nganjehere përpiqet ta trashë zërin dhe ta ngrejë disi tonin, (kjo është e dukshme), besoj se mund te vleresohet si pjesë e lojës politike dhe e pozicionit zyrtar. Sido që të jetë Lulzim Basha ka një socializim tjetër parashkollor dhe shkollor nga paraardhësi dhe s´mund të ketë dhe nuk e ka karakterin specifik të z. Berisha. Në këtë kuptim ne qytetarët e këtij vendi kemi të drejtën të shpresojmë për “duele” politike konstruktive, lëndore midis kryeministrit të ri Rama dhe kryetarit të ri të forcës më të madhe opozitare, Lulzim Bashës. Zoti Rama shquhet për tonet e veta filozofike në të gjitha fjalimet e veta, por sythat e parë na tregojnë se edhe Basha e ka ndjenjën e etikës politike.

Shqetësimi i opinionit të shëndoshë publik është se a do zvarritet Lulzim Basha pas Berishës apo do të krijojë profilin e vet të kryetarit të partisë. Sigurisht që kjo fillimisht është e vështirë dhe do shumë takt e mjeshtëri të lartë, por shembujt nuk mungojnë. Brenda vendit kemi shembullin e Ramës, por me klasik duket shembulli gjerman në partinë simotër të CDU-së, pra modelin Angela Merkel – Helmut Kohl.

Angela Merkel, pas pjesëmarrjes së saj në lëvizjen demokratike si zëdhënëse e shtypit e partisë së vogël gjermano-lindore “Shpërthimi Demokratik”, e zhvilloi bisedën e parë personale me Kohlin në prag të kongresit të 38 të bashkimit të partisë CDU me partinë e saj dhe parti të tjera në Hamburg, në vigjilje të 3 tetorit 1990, pra ribashkimit të Gjermanisë. Në zgjedhjet e para mbarëgjermane më 2 dhjetor 1990 u zgjodh në Bundestag si deputete e CDU-së. Por me nuhatjen politike të një burri shteti Helmut Kohli e kishte ftuar në nëntor 1990 edhe një herë për një bisedë tjetër në kancelari dhe pas fitores së zgjedhjeve ai e përzgjodhi për habinë e të gjithëve për një post ministreje në kabinetin e tij. Në këtë mënyrë Helmut Kohli mbështeti personalisht karrierën e saj të shpejtë; ajo u quajt “Vajza e Kohlit” e Merkeli u bë ministre për gratë dhe rininë (1991-1994), ministre e mjedisit (1994-1998) e që nga dhjetori i 1991 edhe zëvendës kryetare e partisë CDU duke u zgjedhur rregullisht edhe deputete në parlament.

Në zgjedhjet parlamentare të 27 shtatorit 1998 Unioni CDU/CSU me kandidat për kancelar Helmut Kohlin pësoi një humbje të rëndë duke marrë 35,2 përqind të votave e duke arritur në këtë mënyrë rezultatin më të keq që nga zgjedhjet e para demokratike të vitit 1949. “Kancelari i përjetshëm” (1982-1998); kryetari i partisë CDU për 25 vite, që nga viti 1973; “babai i ribashkimit gjerman”, i quajtur kështu për shkak të rolit të tij vendimtar në atë proces, dha dorëheqjen si kryetar i partisë CDU në nëntor 1998. Ai u zgjodh kryetar nderi i partisë dhe në kryesinë e saj, kurse Angela Merkel u zgjodh sekretare e përgjithshme e CDU-së.

Një vit më vonë mediat zbuluan se Helmut Kohli gjatë qeverisjes kishte marrë 1,5 deri 2 milionë marka financime të padeklaruara për partinë CDU, ndërsa Kohli refuzonte të përmendte emra, sepse u kishte dhënë financuesve “fjalën e nderit” duke shkelur ligjin e duke shkaktuar kritika të mëdha edhe nga brenda partisë. Në këtë kuadër ai humbi në vitin 2000 edhe postin e kryetarit të nderit të partisë dhe Angela Merkel u zgjodh kryetare e partisë CDU.

“Vajza e Kohlit”, Angela Merkel luajti një rol shumë aktiv gjatë debatit lidhur me aferën e financimeve ilegale të partisë së saj. Në 22 dhjetor 1999 ajo botoi një artikull në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ku kritikonte qëndrimin e Kohlit dhe i bënte thirrje partisë që ta priste kordonin e kërthizës që e lidhte me Helmut Kohlin: “Pra partia duhet të mësojë të ecë (me këmbët e veta); ajo duhet të ketë në vetvete besimin për ta zhvilluar në të ardhmen luftën me kundërshtarin politik edhe pa kalin e saj të vjetër të betejës, siç kishte shpesh qejf ta quante veten Helmut Kohli. Partia duhet të ecë në rrugën e vet, sikurse dikush që largohet nga shtëpia në moshën e pubertetit.”

Janë të dukshme ngjashmëritë Kohl-Merkel dhe Berisha-Basha në jetën e tyre politike. Edhe Basha mund të quhet “djali i Sali Berishës”, po të kemi parasysh përkrahjen e madhe që i ka dhënë atij Berisha. Por a do ta ketë Basha aftësinë dhe kurajon për ta udhëhequr partinë në rrugën e vet duke u shkëputur prej “makinës luftarake” me emrin Berisha? Merkeli u “ndihmua” edhe prej skandalit të financimeve ilegale, por mos o zot, nëse Berishës në të ardhmen i zbulohet ndonjë skandal madje ndoshta më i madh se i Kohlit dhe i duhet të përballet me drejtësinë, çfarë do të bëjë atëherë Basha? A do të jetë ai në lartësinë e detyrës sikurse Angela Merkel për ta prerë kordonin e kërthizës me “udhëheqësin e përjetshëm” e të shikojë interesin e partisë për të ardhmen?

Merkeli i ruan marrëdhëniet njerëzore me Kohlin dhe nuk e shikon kurrësesi tërë veprimtarinë e Kohlit si “të zezë”. A do të jetë në gjendje Basha ta ristrukturojë Partinë Demokratike duke ruajtur ato marrëdhënie njerëzore me Berishën sikurse Merkeli me Kohlin?

Po Berisha që e udhëhoqi Partinë Demokratike për afro 25 vite sikurse Kohli dhe i humbi zgjedhjet po si ai shumë thellë dhe në të njëjtën moshë 68 vjeçare a do ndjekë shembullin e Kohlit e ta lerë pasardhësin e vet ta udhëheqë si i rritur atë parti në krye të opozitës? A e ka parasysh Berisha rolin e vet të ri social të një kryeministri të mundur në zgjedhje dhe të një ish kryetari partie? “Bathët e priftit” tregojnë deri tani të kundërtën.

Bashës i duhet ta ketë të qartë rolin e vet social për ta përcaktuar drejt veprimtarinë e tij këtej e tutje. Çdo individi me një pozicion të caktuar i korrespondon një rol i përcaktuar social. Ralf Dahrendorfi shkruan: “Çdo pozicioni të një njeriu i përkasin disa mënyra sjelljeje, që ne i presim prej bartësit të këtij pozicioni … Me çdo pozicion shoqëria i jep atij një rol në dorë, të cilin ai duhet ta luaj … Rolet sociale tregojnë pretendimet e shoqërisë ndaj bartësve të pozicioneve … nga njëra anë pretendime ndaj sjelljes së bartësve të pozicioneve (sjellje në përputhje me rolin), nga ana tjetër pretendime për paraqitjen e tij të jashtme dhe “karakterin” e tij (cilësi, atribute në përputhje me rolin) … Rolet sociale janë tufa pritmërish, që në një shoqëri të dhënë lidhen me sjelljen e bartësve të pozicionve … Kur ne flasim për role sociale, … është gjithnjë fjala vetëm për sjelljen e pritshme, d.m.th për sjelljen që presim prej individit, i cili e sheh veten përballë pretendimeve që ekzistojnë jashtë tij, pra në shoqëri …”

Është e qartë se Basha si figurë publike mbart me vete dy role sociale kryesore, rolin social në detyrën e kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe rolin social si kryetar i Partisë Demokratike, por ajo që i intereson më shumë shoqërisë shqiptare tani është roli i tij social si kryetar i Partisë Demokratike, pra i opozitës më të madhe.

Rolet sociale janë një shtrëngim ndaj individit dhe ky karakter i tyre mbështetet tek fakti se shoqëria ka në dispozicion të vet sanksione dhe ai që nuk e luan rolin e tij social ndëshkohet, ai që e luan shpërblehet. Sali Berisha u ndëshkua prej zgjedhësve, sepse sjellja e tij nuk ishte në përputhje me rolin social të një kryeministri europian e ndoshta kjo gjë ishte dhe shkaku kryesor i humbjes së rëndë në zgjedhje. Me sa duket shoqëria shqiptare ishte pjekur e nuk priste më një kryeministër me mimikë orë e minutë të sforcuar, që merrte vendime dhe jepte shpesh njoftime për inatin e të tjerëve e jo rrallë fliste edhe kodra pas bregut duke i besuar propagandës së tij të fortë.

Angela Merkel në rolin e kryetares sovrane të CDU-së, pas dështimeve të para në zgjedhjet lokale të 2001 (edhe për shkak të sjelljes sociale të Kohlit në aferën e financimeve ilegale të partisë) dhe ato parlamentare të 2002, arriti tí fitonte zgjedhjet e 2005 e duket se gëzon edhe tani mbështetjen më të madhe të zgjedhësve.

Besojmë se Lulzim Basha në pozicionin social të politikanit më të lartë të opozitës e ka me siguri parasysh Maks Veberin lidhur me cilësitë e politikanit: “… përkushtimi pasionant ndaj një kauze (atdheut) … përgjegjësia ndaj kësaj kauze … maturia, pra aftësia … që me qetësi tí lerë realitetet të veprojnë tek ai, pra distanca ndaj gjërave … Mungesa e distancës … është një nga mëkatet vdekjeprurëse të çdo politikani …” dhe që të mos ndëshkohet më në fund nga shoqëria e kupton me siguri e do ta luajë mirë rolin social të kryetarit të Partisë Demokratike, sepse “dy Kamberë në një derë” nuk sjellin asnjë dobi në këndvështrimin afatgjatë.

Share This Article
7 Comments
  • Hajde artikull ! Ky thote se meqenese luani dhe miu pjellin kalamaj jane te dy njesoj. Mor zoteri nuk e kuptoj qellimin e ketij artikulli por nje gje kuptoj, qe ke nevoje te mesosh, se ne nje shoqeri demokratike nuk mund te drejtoje krimi. Basha eshte perkrah Berishes pjesmarres ne krim. 11 Janari-minister i mbrojtjes, rruga e Kombit qe eshte turpi i kombit persa i perket kualitetit per ato para qe ka kostuar. Jo zoteri demokracia nuk mund te behet me hajdute dhe kriminele.

    • Nuk mund ta lexoj fare kete artikull sepse vete Titulli eshte shume kontradiktor ekstrem.Si mund te krahasosh dy shtete te ndryshme dhe dy politikan qe s’kan asgje te perbashket.
      Besoj qe eshte humbje kohe me e lexu kete shkrim.
      Besoj,…ndoshta e kam gabim

  • Fort te kenduarit GAQI !

    As Fort Lumturia e tij Prof.Dr.Anastasi ( jo Caci , po Janullatosi ) , nuk do ta ” qendiste” kaq bukur , kete shkrim , ne te cilin edhe ti , si ndoca ortodokse te tjere te ” socializmit ngadhnjimtar ” , shpalosni ” erudicionin ” tuaj , duke i bere qe diten e pare ,opozite opozites!!!
    Suksese mor shoku filozof me Kurs te Larte te Shkolles se Partise , se na kish marre malli per analiza kaq te ” thella” M-L , te mesuara ne leksionet e proverbiales injorante Tefta Cami (Cani , po s’te pelqeu ) , ish minister arsimi dhe ish drejtoreshe e se famshmes Shkolle e Partise , ne kudhren e celikte te se ciles u kaliten ,Pilot , Ritat, Lenkat , Palet , Simonet , Qirjakot e padyshim dhe Ga-qi…..

    Sqarim : fjala ORTODOKS , te mos interpretohet ne kuptimin fetar, por ate politico-filozofik !

  • Ca jane keto krahasime banale Kohl – Berisha dhe Merkel – Basha, ju lutemi? As “tek e tek” e as te kryqezuar nuk barazohen keta kater persona.

    Kur behet fjale per Helmut Kohl, behet fjale per nje burre shteti qe “bashkoi” Gjermanite dhe e beri Gjermanine sic e njohim sot ne faktor europian. Ne jeten e tij politike ka pasur arritje e gabime, nuk diskutohet. Sa per korrigjim: Helmut Kohl u akuzua vetem per 100.000 Marka gjermane, te cilat ai i mori per partine e tij (jo per vete) si dhurate per fushaten elektorale. Kete shume ai ia dorezoi zyres se thesarit te partise se tij por nuk e deklaroi publikisht. Ne kete menyre shuma nuk u tatua dhe ai shkeli ligjin per financimin e partive. Kjo eshte e gjitha.

    Kur flet per Berishen, flet per nje njeri per te cilin epitetet barbar dhe antishtet jane te vetmet qe me vijne nder mend. Nuk ka lene te zeze pa i bere vendit e popullit te tij kjo gjallese perverse; qe nga vjedhja masive ne firmat piramidale e deri tek vjedhja me koncensione deri diten e fundit ne pushtet; qe nga shitja e territorit grekut e deri tek katastrofa ekonomike e juridike qe perjeton vendi; qe nga lufta civile e 1997-es e deri tek 26 te vrare ne Gerdec e 4 te pushkatuar ne mes te bulevardit para kamerave. Ku eshte analogjia ketu me Helmut Kohl-in?

    Kurse ai barazimi tjeter Basha – Merkel eshte edhe grotesk. Te akuzohej Merkel per shperdorim te 200 milion Euro vetem per 50 km rruge, apo te ishte ajo ministre e brendshme, kur ne rruge vriten protestues pa faj, asaj me siguri do t’i ishte harruar emri me kohe.

    Edhe dicka: Eshte e vertete qe kur iku Kohl u zgjodh Merkel, por jo sepse Helmut Kohl e projektoi Merkel si pasardhese te tij. Perkundrazi, kjo ndodhi per aresyen sepse Merkel ishte kritikja me e madhe e Kohl brenda keshillit drejtues te CDU-se, ne kohen e aferes me parate e dhuruara. Ishte ajo qe i tha Kohl-it: faleminderit per ato qe ke bere per vendin, por tani ik tani e ha pensionin dhe na ler edhe ne rehat te bejme politike.

    Ku eshte analogjia ketu me Bashen? Ky i fundit ishte ne zyren e Berishes kur u dha urdheri per pushkatimin pa gjyq te protestuesve te 21 Janarit. Ku po e kritikon Basha Berishen? Ku po i thote ky Berishes, ik? Basha eshte thjesht nje kukull e ngulur me zor ne karrigen e kryetarit te PD-se per te ruajtur vendin e kryetarit te PD-se te ngrohte, deri sa te vije PD-ja (kur te rivije) ne pushtet e femijet e Sales te bejne qejf perseri.

    Vetem analogji nuk ka midis Kohl – Berisha e Merkel – Basha. E kuptoj deshiren e mire te gazetes per te botuar analiza me “peshe”. Por kjo per syte e mi nuk eshte analize po pacavure. Me vjen keq, por keshtu e perceptoj. Eshte nje padrejtesi teper e madhe qe u behen dy personaliteteve Europiane, Kohl dhe Merkel, duke u munduar per te gjetur analogji me nje pervers si Berisha e nje te paafte si Basha, vendi korrekt per te cilet eshte vetem pas hekurave.

    Tung,
    Blendi

  • Me vjen keq,z.Karakashi,per paralelen e hequr.Perpos ketij gabimi ideor; ke harruar se Merkel e kritikoi ashpër ,shumë ashpër Kohl dhe në shtypin gjerman,por dhe në analizën brenda CDU! Nga kjo kritikë Merkel fitoi pikë edhe brenda CDU dhe u zgjodh sepse pothuaj e shkelmoi Kohl! (Lexo “Corriere della Sera” që këto ditë prag zgjedhjesh ka artikuj si të tjerat italiane;ndërsa “Bild” e së djathtes gjermane e ka theksuar këtë shkelmim të Sajj kundêr Kohl,per tu kujtuar të dielën të rivotojnë Merkel…Atëherë djali i Enverit(ende nuk do të bëjë ADN,dhe dhêndrri,si thonë i Berishës,ku e ka kritikuar Berishën që të dal paralelja analitike me Merkel? Nëse Berisha kishte “projekt” vazhdimësine e ramizizmit(i veshi dhe pardesy të bardhe duke e bërë klloun mitingjesh) Basha është vazhdimësi e berishizmit dhe këtë e ka theksuar! Pra je keq,me paralelen sepse Basha nuk është Merkel;dhe mbi te gjitha ke harruar se është vrasës njëllojë si Berisha dhe as Kohl,as Merkel nuk kanë vrarë gjermanë megjithse,ti e di,protestat në Gjermani janë bërë dhe të dhunshme duke u plagosur policë e djegur makina policie shumë herë.Ti kujtojmë protestat e dhunshme në Gjermani behet nje liste e gjate,si ato ne Itali,kur studentet dogjen ministrine e arsimit dhe shkaterruan ministrine e mbrojtjes ne Rome, kur kryeminister ishte i djathti Berluskon… Basha dhe partia e tij kriminale,PD morì të krisurën e madhe,nga Sovrani;Berisha cfardo te bëjë me budallin që zgjodhi pasardhës,është i vdekur që flet,si thotë Beppe Grillo në Itali per partite politike dhe NJESHAT e tyre qe shkaterruan ekonomikisht italinë! Sovrani shqiptar per 300 ditë do monitorojë Ramen,ndersa partia kriminale PD dhe Njeshat e saj vrases duhet të zhduken nga skena politike!Dhe te garantojme se dhe SOVRANI shqiptar do t’i zhduk pasi është Berisha dhe PD qe shkaterruan vendet e punës dhe ekonomine shqiptare qe duhej ridimensionuar pikerisht me nderhyrjen gjermane qe Alia i Berishës dhe Bashës e sabotoi duke gjetur zgjidhje tufëzat…Sovrani do flas duke zhdukur Njeshat partiake dhe partite politike dhe kjo edhe ne Gjermani ka filluar,kurse në Itali pritet të ngjitet M5S në pushtet!…Më vjen keq për paralelen e gabuar,kur për Bashën,Berishën,duhet përherë goditje vertikale,në kokë,për t’i varrosur politikisht! Shpresoj tek aftësitë e tua!…

  • BRAV Z. BLENDI JAM DAKORT ME JU ., TE GJITHA PIKAT MBI I .
    VENDIT I BEHET NDER QE TE SHPETOJ NGA BERISHIZMI DUKE E CUAR SALEN E LULIN PAS HEKURAVE.VETEM ME LIGJ E DREJTESI.
    NDRYSHE KY VEND DO HIQET ZVARRE SHUME GJATE!!!!!!!!!!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *