Kam përshtypjen se po teprohet me nocionet fikse kalendarike që janë përdorur edhe kur qeveria që po largohet, sapo mori pushtetin. Programet, qeverisjet dhe lëvizjet 100 apo 300 ditore (që ndoshta janë rikthyer në modë duke evokuar 100 ditët e Napoleonit pas kthimit nga Elba) mund të jenë një gjetje marketingu politik, por hapat e një qeverie të re në drejtim të zbatimit të premtimeve të saj, do të bien në sy pavarësisht nga numri rrumbullak ose jo i ditëve. Dhe ajo që duket nga kjo “shije e parë” që po marrim nga kabineti i ri, është një sens i fortë serioziteti dhe një ndjesi e detyrës së vështirë që e pret përpara qeverinë Rama. Ai vetë e di këtë, e ka ditur se ç’barrë mund t’i bjerë mbi supe që para zgjedhjeve, dhe po e shpreh edhe këto ditë, se e sheh veten si njeriun që i ka rënë për pjesë (ose e ka kërkuar vetë) ta çojë vendin drejt një hapi të madh cilësor, dhe kufi-ndarës njëherësh, me këto dy dekada dramatike. Përzgjedhja e kabinetit duket simpatike, fokusimet e para të deklaruara (me fjalë dhe veprime) të Ramës padyshim përkojnë me emergjencat më akute të vendit, ekonominë dhe territorin (që afërmendsh ndërlidhen ngushtë me njëra-tjerën), dhe ç’është më e rëndësishmja, kryeministri i ri ngjan i ndërgjegjshëm për një moment historik që e solli atë në krye të punëve të këtij vendi: Votë masive, mision delikat, e rrjedhimisht edhe përgjegjësi e madhe.
Përtej simbolikës
Përtej simbolikës 300 ditore, le të themi se brenda vitit të parë por edhe shumë më shpejt, qeveria e majtë do dëshmojë me veprimet e saj nëse është në lartësinë e shpresës që votuesit patën tek ajo. Kjo edhe për faktin se nëse ka plan për lëvizje energjike, serioze, të forta në çdo sektor, e pse jo edhe me “kosto elektorale”, ato duhen kryer herët, sepse nga fundi i mandatit gjithçka vështirësohet. Unë, si skeptik prej natyre, i pashë si demonstrative dhe pa shumë “bukë” disa nisma si ftesa për dorëzimin masiv të CV-ve, apo për denoncimet popullore të ndërtimeve pa leje, duke qenë se një shtet modern i ka të gjitha strukturat, mjetet dhe burimet njerëzore për t’i bërë këto punë. Por kjo është e dorës së dytë. Rëndësi për çështjen që po flasim, ka fakti se në rastin Edi Rama, përveç pritshmërive të kuptueshme të votuesve ndaj tij, do të luajë rol edhe pritshmëria që vetë Rama ka ndaj vetes, basti që unë besoj se ai ka vënë për të lënë gjurmën e tij në qeverisje, ashtu siç e la me Tiranën, megjithë rezervat e shumëkujt. Tani e ka shansin.
Zhvillimet në PD
Zhvillimet në PD, prej vitesh tashmë, janë bërë “sekreti ynë i përbashkët”. E dimë të gjithë që zoti Basha është beniamini i kryetarit Berisha, e shohim haptaz që promovohet e mbështetet në çdo hap të karrierës nga kryetari, madje edhe me kosto për Berishën në çdo hap që Basha ka hedhur (ministër transporti-abuzimet e rrugës së Kombit; ministër i jashtëm- marrëveshja e detit; ministër i Brendshëm-21 janari, bashkia e Tiranës- maskarada e numërimit të votave). E në fund, e dimë që ai do ta pasojë në parti. Dhe pavarësisht teatrit që luhet para syve tanë, u dashka të besojmë se në PD u bë një garë reale për kryetar? Se Berisha nuk është më shefi i partisë? Sigurisht që nuk është kështu.
Ndaj, në kuadër të gjërave që dihen, unë si shumëkush pres që kryeopozitari i kësaj legjislature të jetë Sali Berisha, ndërkohë që Basha do të trajnohet në kursin për kryetar, duke bërë ndonjë deklaratë, konferencë shtypi etj., atëherë kur ta urdhërojnë. Besoj se padyshim Basha do të mbledhë stafin e tij të ri drejtues, duke bërë lëvizjet që i duken të nevojshme, por jo pa u konsultuar me Berishën. Besoj gjithashtu se e famshmja analizë e humbjes nuk ka për të ndodhur; ajo është bërë ndërkaq, me ndonjë qëndrim, deklaratë a intervistë në shtyp, e cunguar, kalimthi e nëpër dhëmbë nga eksponentë të ndryshëm. Është për të ardhur keq, sepse do të ishte e shëndetshme dhe në të mirë të saj dhe të vendit, që PD-ja ta kalonte atë fazë riorganizimi e riformatimi sado të dhimbshme, si e kaluan socialistët. Por nuk e shoh të ndodhë. Përkundrazi, teatri vazhdon: Kemi një qeveri ende në detyrë, që kritikon qeverinë që ende s’ka ardhur përse nuk po mban premtimet e fushatës!

lete presim ,,dite me shume vine se ikin ,,populli pret ,,,dielli duket qe ne mengjes ,,,fillimi do te tregoje ,lete vije ndryshimi qofte dhe ngadale ,ama te duket qe fryn ere e mire ..mos harojme qe ky sharlatan po le toke te djegur pas .do zoti te na nderoje rama