Tension në Këshillin Bashkiak të Tiranës për fondet e dekorit të 100-vjetorit dhe “kunatin”

redaktor

Ka patur debate të ashpra gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës.  Basha u akuzua nga opozita se ka abuzuar me fondet publike për dekorin e qytetit për 100-vjetorin e Pavarësisë.

Në një moment keshilltaret e majte i kane përmendur kunatin dhe kreu i bashkisë së Tiranës i ka thënë kreut të tyre Aldrin Dalipi se do ta çonte sërish në gjyq. Pas kësaj reagoi Dalipi, i cili u shpreh se “hajduti thërret kapeni hajdutin”.

Pas kësaj Basha iu drejtua Dalipit me fjalët, “dil përjashta, se ta tregoj unë!”. Këtë veprim të kryebashkiakut këshilltari Kiço Blushi, e cilësoi si atentat në Këshillin Bashkiak dhe situatë të paprecedentë kërcënuese.

“Ti je një racë e korruptuar që duhet t’i kthesh milionat e vjedhura qytetarëve të Tiranës”, iu drejtua Dalipi, Bashës.

Vendimet e miratuara vetëm me votat e mazhorancës 

Dy pikat e para të rendit të ditës, që kanë të bëjnë me transferimin kapital të vlerës së investimeve të kryera nga aparati i Bashkisë së Tiranës gjatë viteve 2000 – 2009, si dhe ai për disa ndryshime në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2012, janë  miratuar vetëm me 28 votat e këshilltarëve të mazhorancës.

Në mbledhje, kryetari i Bashkisë Lulzim Basha prezantoi axhendën e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë në Tiranë. Ai tha se sheshi tek rrethrrotullimi i Doganës do emërtohet “Shqiponja”. Basha dha edhe të tjera detaje si koncerte me muzikë rock apo edhe shpërndarje CD-sh me këngë patriotike.

Basha tha se atë ditë do të jetë gati një tortë prej 550 metra katrorë, që do gatuhet nga pastiçierë shqiptarë dhe të huaj. Kjo deklaratë e Bashës shkaktoi të qeshura në sallë. “Jam i bindur se informacioni që qytetari ka marrë sot nga kryetari i Bashkisë do të shërbejë si energji pozitive, dhe jo negative. Kam kryer detyrimin tim për të shpjeguar se çfarë po bën kjo Bashki, por se është e përkushtuar për të mbajtur rolin që i takon, kontributin që i takon. Që nga torta që dikush u gajas, por që është iniciativë e të gjithë qytetarëve. Nuk është rast për t’u mërzitur, por për t’u gëzuar”, tha Basha. Këshilltarët e majtë e kanë akuzuar Bashën se dekorin e Tiranës ia ka dhënë kunatit për ta realizuar. “Ne nuk jemi shprehur kundër zbukurimit të qytetit në nëntorin e 100-të pavarësisë, po jemi kundër aferave skandaloze dhe korruptive në lidhje me vendimin që na erdhi në komision. Këshilli vepron në publik dhe nuk jemi qeveria që merr vendim, por vendimet duhet të qarkullojnë. Janë akorduar 560 milionë lekë të reja, por po të hapni faqja zyrtare e bashkisë nuk ka njoftim. Është kunati i Bashës pas kësaj afere. Është e habitshme si do të hani mish dhe kur rrugët janë të prishura”, thanë këshilltarët e majtë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *