Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të PD-së Lulzim Basha për vdekjen e një minatori ditën e djeshme.
Përmes një njoftimi për mediat, Ministria sqaron se me të marrë njoftimin për aksidentin me pasojë vdekjen e minatorit Gjovalin Prenga, punonjësit e Repartit të Inspektim, Shpëtim Minierave kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të kryer verifikimet dhe nxjerrë përgjegjësitë.
“Në zbatim të ligjit të ri për minierat, shumë shpejt do të zgjidhet plaga e mbivendosjeve të lejeve minerare, kryesisht në rajonin krommbajtës të Bulqizës. Do të anulohen të gjitha mbivendosjet e lejeve minerare të dhëna gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, e që kanë krijuar jo vetëm rrezikshmëri për punën e minatorëve por edhe deri konflikte me pasojë jetë njerëzish. Ndryshe nga zoti Basha që preferon të derdhë lot krokodili e të përdorë politikisht vdekjet e minatorëve, qeveria ka bërë realitet uljen e moshës së daljes në pension me 5 vite dhe ka rritur ndjeshëm pensionet për 3840 minatorë”, thuhet në njoftim
Sipas Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, në vend që të heshtë për katrahurën që qeveria e tij ka lënë trashëgimi në industrinë minerare, kryetari i Partisë Demokratike zgjedh sot të spekulojë për përfitime të pastra politike.
