Partia Demokratike organizoi në qytetin e Lushnjës miting të planifikuar. Pjesëmarrja nuk i arriti pritshmëritë e organizatorëve. Jo për fajin e atyre që kishin marrë përgjegjësitë. Lideri i opozitës Basha u prit nga mbështetësit, nga dyqind petrita. Ka disa arsye pse ndodhi kështu. E para, ndoshta ka të bëjë me strukturat e partisë në degë e në bazë, të cilët kanë pakënaqësitë e tyre lidhur me reformat në parti, pas humbjeve të zgjedhjeve politike të 21 Qershorit 2013. Së dyti, shkak i mungesës së entuziazmit të mbështetësve, mund të jetë përzgjedhja e keqe e drejtuesve vendorë të kësaj force politike në bazë. Dhe së treti, arsyeja duhet kërkuar tek lideri Basha, nga i cili anëtarësia nuk ka gjetur vetveten, për ta kthyer PD-në në qeverisje qendrore.
Është e vërtetë se opozita e sotme ka qeverisur gjatë dhe ka përvojën e duhur për të fituar zgjedhje. Në këto kushte lind pyetja: Cili është mesazhi që solli Lulzim Basha në mitingun e Lushnjës, të martën e 6 Tetorit 2015? Që në fillim të fjalës para një grupimi njerëzish, që numëroheshin me gisht, u dëgjua retorika e njohur prej muajsh e vitesh: Qeveri e aferave korruptive, shtetarë, qeveritarë të lidhur me krimin, shpërdorim të fondeve publike nga të babëziturit, janë vjedhur 500 milion këtu, 300 milion atje, e të tjera si këto. Në miting folën edhe të ardhur nga rrethet, të cilët shfrynë inatin, mallkimin dhe mërzinë për “qeverinë e kusarëve”. Thua se këtë vend e katandisi si mos më keq Edi Rama e jo Sali Berisha.
Letër e nënshkruar,
Sokrat Ndreçka
