Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një bashkëbisedimin më të rinjtë e Vorës, tha se prioritet është dhënia e mundësisë çdo të riu që të arsimohet.
“Tarifat do të ulen, arsimi i lartë do të garantohet për të gjithë ata që e dëshirojnë dhe ne do të bashkëfinancojmë në mënyrë të ndershme dhe konkurruese të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publike dhe jopublike, me qëllim që djemtë dhe vajzat e shqiptarëve të kenë mundësi të realizojnë ëndrrën e tyre pa u bërë barrë shtesë për prindërit”, u shpreh kreu i demokratëve.
Sipas tij, Partia Demokratike ka planifikuar mbështetje të veçantë nga buxheti për kompanitë të cilat punësojnë të rinj.
“Ne do të ftojmë kompanitë më të mëdha të botës, do të financojmë ekspertët e tyre më të mirë për të orientuar degët e veçanta të teknologjisë së informacionit, degë të mësimdhënies dhe përgatitjes së kuadrove më të aftë, në mënyrë që ata të shërbejnë në parqe teknologjike që do të hapin këtu në Shqipëri. Natyrisht, jo në kushtet e Shqipërisë së Shullazit, jo në kushtet e Shqipërisë së Arben Ahmetajt e të Edi Ramës e Ilir Metës, por në kushtet e një Shqipërie që ofron regjimin më të favorshëm fiskal, sigurinë për të investuar, në kushtet e një qeverisjeje që subvencionon për çdo vend pune të ri që hapet për të rinjtë dhe të rejat shqiptare”.
Basha tha se PD ka vendosur të sjellë një model të ri dhe standard të ri në politikën shqiptare. Modeli amerikan i përballjes është përzgjedhur nga lideri i opozitës për të përzgjedhur 49 të rinjtë që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme. “49 kandidatë nga 140 kandidatët e ardhshëm do të zgjidhen me votën e drejtpërdrejtë nga radhët e rinisë demokrate. Ju do të nxirrni dhe evidentoni përmes gjykimit dhe votës tuaj, më të mirët ata që ju përfaqësojnë më së miri. Do të rreshtoni ata me denjësi në listën e betejës tonë të ardhshme që do të jetë lista e vlerave përballë listës së antivlerave. Do të jetë lista e besimit përballë listës së dëshpërimit”, tha ai.
