Migjen Basha, mesfushori i Kombëtares shqiptare, ka dalë në konferencë për shtyp tek ekipi i tij Bari, që tashmë drejtohet nga kampioni i botës Fabio Grosso. Basha qëndron me këmbë në tokë dhe I di limitet e tij, ai është i gatshëm të pranojë vendimin e trajnerit Christian Panucci nëse nuk i dërgon një ftesë për dy ndeshjet e radhës. I pyetur nga gazetarët italianë për këtë çështje, mesfushori kuqezi shprehet se është në pritje.
“Në Kombëtare kam qenë gjithmonë i grumbulluar prej vitesh. Unë nuk mund të zbuloj asgjë, pasi nuk e di nëse do të vijë ftesa. Këtë duhet t’ia kërkoni ekipit tim. Derisa të mos arrijë konfirmimi, nuk mund të them asgjë. Nëse nuk më ftojnë në Kombëtare, do të më vijë keq, por në krahun tjetër do të mundohem t’i jap një dorë ekipit. Kjo do zbulohet brenda këtyre ditëve” – u shpreh Basha në lidhje me ekipin kuqezi.
Më pas ai ka folur për situatën që po kalon skuadra e tij, Bari: “Dy fitoret e fundit na bëjnë shumë mirë, pasi vijim pas 3 humbjeve të çuditshme, të cilat i kishim humbur më shumë për fajin tonë dhe jo për meritë të kundërshtarëve. Tani jemi me mori të lart, por do të kemi një ndeshje të vështirë ndaj Spezias në transfertë. Do të mundohemi të bëjmë më të mirë. Ndryshimi i modulit të lojës nuk ndikon në lojën time. Me Grosson ekipi ka një mentalitet ndryshe nga e kaluar. Ai transmeton shumë personalitet, dhe ka një mentalitet shumë pozitiv.”
