Basha: Nuk ka rrugë të mesme, ose me juntën, ose me ne!

Leda Hysa

Opozita akuzon drejtpërdrejtë Kryeministrin Edi Rama se me urdhër të tij Policia e Shtetit ka arrestuar persona që jo vetëm nuk kanë patur lidhje me dhunën, por as me vetë protestën.

Lulzim Basha vetë e nisi ditën me një vizitë në Spitalin e Traumës, aty ku po merr kurim sekretari organizativ i demokratëve, Sait Dollapi pas arrestimit nga ana e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Këta të fundit e goditën zyrtarin e PD-së gjatë përpjekjes së Dollapit për t’i shpëtuar arrestimit.

Pas vizitës tek Dollapi, Basha iu bashkua protestuesve të opozitës të grumbulluar ndërkohë para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në fjalën e mbajtur para tyre, kreu i PD-së përsëriti akuzën se sot nuk qeveris vota e shqiptarëve, por krimi dhe oligarkia.

“Nga Parlamenti i krimit ka dalë një Qeveri e krimit me njeriun me arrogant e mashtrues që u ka vënë shqelmin në fyt shqiptarëve të thjeshtë dhe ka ulur në tavolinën e babëzisë kriminelët dhe oligarkët”, tha ai.

Sa i takon dhunës që shoqëroi protestën e së shtunës, Basha drejtoi gishtin e fajtorit nga Kryeministria. Ai foli për një skenar të organizuar nga vetë Edi Rama.

“Skenari i dhunës i shërbeu Ramës për të provuar para shqiptarëve dhe mbarë botës se është i vetmi njeri që i intereson dhuna”, shtoi Basha.

Kur flet për afatet e largimit të Kryeministrit, Lulzim Basha nuk flet më me ditë, por me orë dhe ftoi qytetarët në protestën e thirrur për ditën e hënë, ku paralajmëroi se populli do t’i kthehet dhunës së qeverisë, sipas tij, në proporcion të drejtë.

“Junta kriminale i ka orët e numëruara. Nesër do të marrë përgjigjen e plotë nga shqiptarët e bashkuar. Dhuna ndaj Sait Dollapit është një mesazh për të trembur shqiptarët e bashkuar. Por, ka për të marrë një përgjigje proporcionale nga populli i bashkuar dhe i vendosur për ta çuar betejën deri në fund”, u shpreh Basha.

Për të arrestuarit, Basha tha se opozita nuk do të lejojë asnjë prej tyre që të mbahet i arrestuar, duke shtuar se tanimë nuk ka një rrugë të mesme për të zgjedhur.

“Kurrë nuk ka qenë më e qartë dhe e kthjellët zgjedhja! O me juntën, o me popullin e bashkuar për liri dhe demokraci”, shtoi ai.

Gjatë protestës para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Basha shoqërohej edhe nga drejtues të partive të tjera opozitare.

l.h/ dita

Share This Article
17 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *