Situtatat e krijuara në disa prej degëve të Partisë Demokratike në rrethe ku nuk kanë munguar kërcënimet, fyerjet apo përplasjet fizike, duket se kanë detyruar kryetarin e PD-së, Lulzim Basha që të paralajmërojë tolerancë zero për cilindo që përçan apo tenton të përçajë këtë parti.
Reagimi i Bashës vjen pas përplasjeve të ndodhura në degët e PD në Durrës, Shkodër, Pogradec, Librazhd, Lushnje, Korçë ku proceset zgjedhore janë shoqëruar me debate të ashpra.
Menjëherë pas nisjes së procesit të zgjedhjeve të brendshme në PD, ish-deputetë dhe deputetë aktualë nisën punën në zona e tyre të influencës, megjithëse një udhëzim i kreut demokrat kishte parashikuar koordinatorët që do të monitoronin këto procese. Përplasjet mes të deleguarve zyrtarë dhe të vetë angazhuarve janë pasqyruar në përzgjedhjen e kandidatëve, delegatëve dhe deri në manipulimin e listës së anëtarëve me të drejtë vote, sikundër u akuzua në rastin e Korçës.
Referuar situatës të krijuara, kur të paktën në një rast si Pogradeci kreut demokrat Basha iu desh të ndërhynte për të lejuar kandididimin në këtë degë të fituesit, i cili pengohej nga të deleguarit e qendrës për të hyrë në garë, nga qyteti i Gjirokastrës ku ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së PD, Basha u shpreh se nuk do ti pritet rruga askujt për të kandiduar, ndërsa ka apeluar që anëtarësia e kësaj partie të përdorë votën me përgjegjësi.
Basha ka vlerësuar procesin e anëtarësimeve të reja në Partinë Demokratike dhe ofrimin e të rnjve në këtë parti, ndërsa u shpreh se debatet dhe diskutimi i lirë janë vlera për këtë parti.
“Tolerancë dhe mirëkuptim zero ndaj atyre që do të tentojnë të përcajnë Partinë Demokratike apo ndaj gjithçkaje që synon një gjë të tillë”, ishte paralajmërimi i bërë nga Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kërkuar nga anëtarësia e forcës politike që drejton ta përdorë me përgjegjësi votën e saj me të cilën do të ndërmerren vendimet më të rëndësishme.
Në Kuvendin Zgjedhor të demokratëve të Bulqizës, Basha kërkoi reflektim të dyfishtë ne zgjedhjen e drejtuesve të rinj nga njëra anë, në vlerësimin e vlerës dhe meritës, dhe nga tjetër në kundërvënien e vlerave të PD përballë antivlerave të promovuara nga mazhoranca.
“Ndonëse jemi gjithseci këtu i mandatuar, të gjithë jemi të barabartë me çdo demokrat tjetër brenda dhe jashtë kësaj salle dhe gjithsecili prej nesh ka një votë. Vendosja e votës së lirë në bazë të vendimarrjes është një përgjegjësi e jashtëzakonshme, një përgjegjësi që kërkon një reflektim të thellë nga gjithë ju ushtruesit e kësaj të drejte, një reflektim të dyfishtë. Nga njera anë, brenda vetes tonë për çdo rast të shkarjes apo degradimit nga parimet e vlerës dhe meritës brenda radhëve tona dhe një reflektim tjetër në raport me vendosmërinë tonë për t’ju kundërvëne projektit më ogurzi por dhe më të pashpresë politik që ka kundërshtari ynë, të mbajtjes dhe menaxhimit të pushtetit përmes promovimit të antivlerave”, tha Basha.
Drejtuesit e rinj të PD-së duhet të nisin hartimin e alternativës së demokratëve, tha Basha, ndërsa është ndalur në situatën ekonomike, sociale dhe të sigurisë që po kalon vendi. Papunësia ka arritur shifra alarmante, tha Basha, ndërsa papërgjegjshmëria e qeveritarëve ka arritur kulmin.
“Mungesa e perspektivës dhe vizionit e ka zhytur Shqipërinë në ditën e saj më të keqe. Janë mbyllur vende pune, janë hedhur në rrugë njerëzit, përkeqësim në çdo statistikë të rendit, vrasje, tentative vrasje, grabitje dhune, transparenca dhe përgjegjshmëria e pushtetarëve para qytetarëve është në nivelet më të ulëta që nga kapërcimi i diktaturës moniste. Sot është koha që demokratët e Bulqizës dhe gjithë Shqipërisë, nën drejtimin e ekipeve të reja të ndërtojnë alternativën tonë të re bazuar në parimet e lirisë, konkurencës së lire e të pastër dhe të zhvillimit”, tha Basha.
